Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ Kapet në flagrancë Irena Gjoka

‘Me frikë pas veshit’: Kamerat pirate ekspozojnë kontrollin e territorit nga krimi

‘Me frikë pas veshit’: Kamerat pirate ekspozojnë kontrollin e territorit nga krimi

19:53, 02/02/2023
A+ Aa A-

Zbulimi i 451 kamerave të grupeve kriminale në qendrat e qyteteve kryesore të vendit ka ngritur pikëpyetje mbi aftësinë e policisë, ndërsa ekspertët janë të shqetësuar për cënimin e rëndë të sigurisë publike si dhe shkeljen e të drejtave të qytetarëve.

Nga Emi Kalaja, Geri Emiri-BIRN

Pak ditë pasi punonjës të policisë u ngjitën në vinçat e komunales për të këputur fijet e dhjetra kamerave që kontrollonin qytetin për llogari të grupeve kriminale, në Shkodër biseda rreth tyre vijon të bëhet me zë të ulët.

Në Universitetin e Shkodrës, pedagogët druhen të komentojnë dhe hiqen mënjanë duke thënë: ‘nuk duam probleme’.

Një mësuese 42 vjeçare, e cila foli me BIRN në kushtet e anonimatit, thotë se ‘në Shkodër jetohet me frikën pas veshit’.

‘Tani del që ata na ndjekin hap pas hapi, ma keq nuk bahet,’ tha mësuesja. ‘Prandaj kanë ik njerëzit e bizneset, ka gjoba, kërcënime e frikë,’ shtoi ajo.

Kamerat e grupeve kriminale në qytetin e Shkodrës ishin të gjitha me rezolucion të lartë, me ‘sy’ që vëzhgojnë në 360 gradë. Aksioni për çmontimin e tyre nisi në mesin e janarit, pas atentatit me tritol ndaj shefit të Seksionit të Krimeve në Shkodër, Pëllumb Shpati, pasi oficerët e policisë gjyqësore mësuan se nuk mund të kishin akses te kamerat rreth sheshit të njohur si ‘5 heronjtë’ për të parë lëvizjet e të dyshuarve.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit urdhëroi më pas një operacion kombëtar, që deri të mërkurën 1 shkurt, shkuli 451 kamera në të gjithë vendin, 215 prej të cilave në Tiranë.

Hetimet e deritanishme tregojnë se disa prej kamerave ‘pirate’ janë instaluar nga persona me precedentë penalë, të shpallur në kërkim apo të dënuar për trafik të lëndëve narkotike.

Ekspertët e zbatimit të ligjit e shohin fenomenin e toleruar për një kohë të gjatë si cënim të sigurisë publike, të privatësisë së qytetarëve dhe mungesë te kontrollit mbi territorin nga autoritetet.

 ‘Për më shumë se 7 vjet nuk kanë pasur asnjë kontroll mbi territorin. Fakti e tregon,’ tha Armando Cakrani, avokat penalist, duke iu referuar Policisë dhe Shërbimit Informativ.

 ‘Sërish territori dhe rrugët e qyteteve nuk kontrollohen nga policia,’ shtoi ai.

Krimi vëzhgon policinë

Kamera të anëtarëve të krimit të organizuar, të sekuestruara nga policia. Foto: Policia e Shtetit.

Në qytetin e Shkodrës, shumica e kamerave u gjetën të vendosura në lagjet Kiras dhe Dobraç, ku banojnë respektivisht familjet Lici dhe Bajri-të dyshuara për një seri ngjarjesh në qytet. Të tjera u gjetën në rrugët kryesore, te ‘5 heronjtë’, në bypassin e Shkodrës, në lagjet ‘Guerrile’, ‘ Salo Halili’ dhe ‘Kongresi i Përmetit’ .

Në skajin tjetër të vendit, në qytetin bregdetar të Vlorës, policia çmontoi 16 kamera që dyshohet se kontrolloheshin me aparate celularë nga shtetas të ndryshëm dhe që mbanin nën vëzhgim shëtitoren kryesore të qytetit.

Edhe Policia e Durrësit çmontoi 47 kamera të vendosura në kundërshtim me ligjin në të gjithë qarkun, të cilat dyshohet se i shërbenin personave të lidhur me grupet kriminale.

Në qytetin e Durrësit u çmontuan 11 kamera dhe policia deklaroi se kishte nisur hetimet ndaj ‘pronarëve’ të dyshuar të tyre, Plarent Dervishaj dhe Dejvid Karaboja.

Dervishaj është shpallur në kërkim si person i dyshuar për atentatin e vitit 2019 ndaj ish-prokurorit Arian Ndoja dhe Pëllumb Muharremit, një eksponent i dyshuar i krimit të organizuar i njohur gjithashtu si Aleksandër Laho apo Rrumi i Sukthit.

Si pronar kamerash u identifikua gjithashtu edhe Albert Muharremi, vëllai i Pëllumb Muharremit.

Në Shijak, policia nisi hetimet për veprën penale të ‘ndërhyrjes së padrejtë në jetën private’ ndaj tetë personave, mes të cilëve edhe vëllezërit Avdyli të dënuar nga Gjykata e Posaçme për vepra që lidhen me krimin e organizuar.

Në Shkodër dhe Vlorë, agjentë të policisë i thanë BIRN në kushtet e anonimatit se kamerat ishin përdorur për të mbajtur nën vëzhgim si kundërshtarët, ashtu edhe forcat e policisë.

 ‘Kamerat ishin të teknologjisë së lartë dhe disa prej tyre filmonin 360 gradë. Unë mendoj se janë përdorur për të llogaritur lëvizjet e atentatorëve përgjegjës për 12 vrasje në pesë vitet e fundit si pasojë e përplasjeve mes dy grupeve rivale në Shkodër,’ tha punonjësi i policisë së Shkodrës.

‘Grupet kriminale kanë arritur të ndërtojnë itinerare ‘të sigurta’ për t’i shpëtuar policisë pas ngjarjeve kriminale si dhe për të ndërtuar skemat për atentate në akse dhe lagje shumë të populluara të qytetit,’ tha një agjent i policisë së Vlorës, gjithashtu në kushtet e anonimatit.

Shefi i Komisariatit të Vlorës, Agim Basha tha se kamerat e paligjshme monitoronin rrugë dhe sheshe në qytet, ndërsa shtoi se po punon për të zbuluar të tjera.

‘Por kemi hasur vështirësi në evidentimin e poseduesve, të cilët i administrojnë ato në telefona dhe servera privatë,’ shtoi Basha.

Ndërsa drejtori i policisë së Shkodrës, Ervin Hodaj tha se ky aksion ishte ndërmarrë pas një analize ngjarjesh dhe konstatimeve në terren.

‘Ky është një fillim i mbarë dhe mendoj së është më shumë se një hap para në drejtim të sigurisë dhe rendit publik’, tha Hodaj.

Cënim i sigurisë

Për kryetarin e Bashkisë Shkodër, Bardh Spahia, heqja e këtyre kamerave është një hap që duhet përgëzuar, por sërish i pamjaftueshëm për të garantuar sigurinë tek qytetarët.

Spahia thotë se vetëm zbardhja e akteve kriminale mund të heqë frikën prej qytetarëve dhe kthejë besimin te institucionet.

‘Unë gjykoj se këto ngjarje jo vetëm dëmtojnë imazhin e këtij qyteti, por rrisin frikën dhe pasigurinë e shkodranëve për të jetuar dhe punuar në qytetin e tyre,’ tha kryebashkiaku.

Për juristë dhe ekspertë të sigurisë, heqja e kamerave ekspozoi mungesën e kontrollit të policisë në territor dhe cënimin e rëndë të të drejtave të njeriut.

Mustafa Llani, jurist nga Durrësi shpjegon se legjislacioni shqiptar përcakton një listë kriteresh dhe detyrimesh për subjektet private që duan të vendosin kamera, por në këtë kategori nuk mund të përfshihen grupe të krimit të organizuar.

Ai e konsideron vendosjen e kamerave pa autorizim një cenim të rëndë të sigurisë publike.

‘Siguria publike është element i rëndësishëm që prek shumë aspekte, ku përmendim lirinë ekonomike, pronësore, apo të drejtat dhe liritë themelore të individit,’ tha Llani

Klajdi Mone, pedagog i së Drejtës Kushtetuese në Fakultetin e Drejtësisë së Universitetit ‘Ismail Qemali’ në Vlorë thotë se përtej cenimit të sigurisë publike, prania e kamerave të paligjshme ka cënuar të drejtat e qytetarëve.

‘Vendosja e kamerave në ambiente publike të paautorizuara nga organet përkatëse vjen në kundërshtim me parimin e një jete private e të lirë të parashikuar nga neni 35 i Kushtetutës dhe neni 8 i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut,’ shtoi Mone.

Për qytetarët e zakonshëm, prania e këtyre kamerave në rrugët e qyteteve ekspozon probleme më të thella.

‘Përgjegjësia duhet të nisë nga polici më i thjeshtë i lagjes, përgjegjësi i shkallës [në pallate], nuk e dinë ata kush hynë dhe del?!,’ pyet Qemal Pengu, banor i Durrësit.

‘Të gjithë këta mbahen dhe hajnë nga ata [krimi], ai që duhet t’i gjejë hajdutët shkon e paguhet nga ata,’ përfundoi ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco