Gjykata e Posaçme ka lënë në burg shtetasit Bashkim Haxhija, Marsel Deçka, Endrit Sinani, Genti Ndërjaku i njohur edhe me emrin Kili Ndërjaku dhe Juljan Pjetri, të arrestuar për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja dhe 'Rrumit të Shijakut', ngjarje e ndodhur më 1 nëntor 2019.
Sipas SPAK, atentati i 3 viteve më parë në autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Sukthit, u organizua dhe finalizua nga 11 persona që bashkëpunuan si grup kriminal.
Hetimet nxorën në dritë se në organizimin dhe sigurimin e kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasjen, përveç Redjan Rrajës dhe Arjol Halilajt, kanë marrë pjesë edhe 9 persona të tjerë, 5 prej të cilëve u arrestuar ku ketë të shtunë u njohën dhe me masën e sigurisë, ndërsa 4 të tjerë u shpallën në kërkim.
Në kërkim është Plarent Dervishaj, që sipas SPAK është një nga organizatorët, Julian Meçaj, Ramazan Rraja dhe një shtetas me inicialet A.SH. Të gjithë këta persona, sipas SPAK, kanë marr pjesë në të gjithë planin para dhe pas ngjarjes së 1 nëntorit 2019. SPAK e hetoi çështjen në një procedim të veçuar nga ai i Redjan Rrajës dhe Ariol Halilajt dhe thotë se ka siguruar prova që këta persona janë të përfshirë në atentat nëpërmjet përgjimeve dhe bashkëpunimit me persona të tjerë nën hetim.
Gjatë operacionit të zhvilluar nga Policia e Shtetit me kerkesë të SPAK, në 11 banesa u ushtruan kontrolle dhe sekuestruan armë, jelekë antiplumb dhe 50 kontrata shit-blerje pronash. Për shkak se 4 personat e shpallur në kërkim, sipas SPAK janë jashtë vendit, është bashkëpunuar edhe me autoritetet e huaja me qëllim arrestimin dhe ekstradimin e tyre drejt vendit tonë.
Nga hetimet e SPAK rezultoi se Plarent Dervishaj, i cili ishte në konflikt me Aleksandër Lahon alias Pëllumb Muharremin i njohur si Rrumi, pasi e akuzonte si organizator të atentatit në fshatin Koxhas, ku udhëtonte në automjet bashkë me miqtë e tij Bashkim Haxhija dhe Jualin Meçaj. Ata mundën të mbijetonin, por Dervishaj pas kësaj filloi të thurte planin për eliminimin e kundërshtarit të tij dhe të prokurorit Arjan Ndoja.
Atentati ndaj prokurorit u organizua rreth orës 16:00 të datës 1 nëntor 2019 në autostradën Durrës-Tiranë, në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, ku persona të armatosur qëlluan me armë zjarri mbi automjetin me targa AA 333 ZD, me të cilin udhëtonin shtetasit Andi Maloku, Arian Ndoja dhe Aleksandër Laho. Andi Maloku mori plagë të rënda dhe ndërroi jetë në spital, ndërsa prokurori dhe miku i tij mbijetuan.

© SYRI.net