'E vrau mafia e djegësave'/ KSHH: Po pengohet hetimi për Enver Sheshin

'E vrau mafia e djegësave'/ KSHH: Po pengohet hetimi për Enver Sheshin

13:30, 13/01/2023
A+ Aa A-

Enver Sheshi, një nga të arrestuarit për aferën e inceneratorit të Fierit, ka ndërruar jetë në urgjencën e QSUT-së më 8 janar.

Ai doli nga burgu, u transportua në spital dhe aty ndërroi jetë si pasojë e një arresti kardiak.

Nisur nga informacionet e përçuara në media Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) ngarkoi një grup monitorimi për të verifikuar në terren këtë ngjarje.

Këtë të premte KSHH ka bërë me dije përmes një komunikate zyrtare se vëzhguesit e saj shkuan në disa organe përkatëse dhe nuk kanë marrë informacionin e duhur.

Komiteti Helsinkit shtoi në deklaratë se vëzhguesit u paraqitën edhe pranë dy institucioneve të tjera si Drejtoria e QSUNT dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Pranë QSUNT, pas një kohe të gjatë pritje, u informuam se duhet të bënim një kërkesë për informacion. Përfaqësuesit e IML na komunikuan që nuk kishin dalë ende rezultatet e autopsisë (të cilat vononin deri në 30 ditë) dhe duhej të dërgonim një kërkesë për informacion për çdo dokument që kërkonim prej tyre.

“Në çështjen në fjalë, rezervat për dhënie informacioni ndaj një organizate të njohur për misionin e saj, sikurse është KSHH janë të panevojshme dhe krijojnë dyshime të arsyeshme në sytë e një vëzhguesi të paanshëm e objektiv, për arsyen e refuzimit të informacionit,” – thuhet në deklaratën e komitetit.

KSHH i ka sugjeruar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, si organi i ndjekjes penale që për çështje që nuk përbëjnë sekret hetimor, të informojë publikun për veprimet që ka kryer dhe po kryen kjo prokurori për çështjen dhe sidomos familjarët e viktimës.

Para disa ditësh, kryetari demokrat, Sali Berisha, tha se ka dyshime të forta se vdekja e Enver Sheshit, i cili ishte arrestuar për aferën e djegësave, është organizuar nga mafia e inceneratorëve.

"Vdekjet e dyshimta, eliminimet mafioze në burgjet e ferrit të Edi Ramës janë tashmë dukuri tragjike të zakonshme. Dje mediat njoftuan vdekjen e 59-vjeçarit Enver Sheshi, i arrestuar për skemë mashtrimi me TVSH në aferën e djegësave, ndërkohë që bosët e skemës Rama, Agaçi, Ahmetaj vazhdojnë vjedhjet me kompaninë e tyre të djegësave.

Dyshime të forta kanë lindur për mbajtjen e tij në paraburgim.

Sipas disa mesazheve, vdekja e tij është organizuar nga mafia e djegësave, mbasi dinte shumë për djegesat. Të tjerë pretendojnë se kishte vendosur të dëshmojë me hollësi për skemën e vjedhjes së parave në djegësin e Fierit dhe si u ndanë ato.

Personalisht shtoj:

-Së pari, shpreh ngushëllime familjes për humbjen e njeriut të tyre të dashur.

-Së dyti, i bëj thirrje Avokatit të Popullit të ndërmarrë me urgjencë hetimin lidhur me rrethanat dhe shkaqet e vdekjes të të ndjerit Enver Shehu dhe të shqyrtojë në çdo aspekt vdekjen e të ndjerit Sheshi në paraburgim. Duke dënuar dhe njëherë kushtet çnjerëzore në burgjet e Shqipërisë", tha Berisha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco