VIDEO-SYRI TV/ Covidi ‘mbylli’ shkollat, 351 nxënës dhe 212 mësues pozitivë në vetëm 24 orë

VIDEO-SYRI TV/ Covidi ‘mbylli’ shkollat, 351 nxënës dhe 212 mësues pozitivë në vetëm 24 orë

15:32, 21/01/2022
A+ Aa A-

Virusi Covid-19 është përhapur masivisht në shkollat e vendit. Në vetëm 24 orë janë konfirmuar pozitivë 351 nxënës dhe 212 mësues, ndërsa problematikë mbetet fakti se mungon testimi masiv për nxënësit dhe mësuesit.

Nga SYRI TV

Javët e fundit kanë shënuar pikun më të lartë të pandemisë në vend, me qarkullimin e variantit delta dhe Omicron, ndërsa paralelisht po qarkullojnë edhe virozat e stinës.

Sëmundjet virale duket se kanë gjetur terren përhapje edhe në shkollat 9-vjeçare e të mesme, nga ku rezulton se vetëm një ditë më parë, 1580 nxënës janë të konfirmuar me Covid, nga të cilët 351 raste të reja janë konfirmuar në 24 orë.

Nga ana tjetër, edhe stafi pedagogjik rezulton i prekur nga virusi. Referuar shifrave të një dite më parë, 1082 mësues në të gjithë vendin janë konfirmuar me Covid, nga të cilët 212 vetëm gjatë 24 orëve të fundit. Por kjo është vetëm maja e ajsbergut, pasi me qindra raste të tjerë janë të infektuar, por jo të testuar.

Kjo për vetë faktin se disa prindër nuk kanë pranuar që fëmijët të testohen, disa kanë vendosur t’i mbajnë në shtëpi, ndërsa një pjesë e mirë nuk kanë arritur të identifikohen për shkak të mungesës së pajisjes së shkollave me teste, gjë që nuk ka mundësuar testimin masiv të mësuesve dhe nxënësve për të identifikuar numrin e saktë të tyre.

Një ditë më parë, ministrja e Arsimit Evis Kushi, njoftoi mbylljen e shkollave për tri ditë, nga e hëna në të mërkurë të javës së ardhshme, duke përdorur si argument uljen e ndjeshme të temperaturave, por duket se në fakt shkaku kryesor është infektimi i nxënësve dhe mësuesve me Covid, që ka arritur shifra të larta.

Pas mësimit online, duket se ky vit shkollor ka nisur dhe do të vijojë me sfidat e pandemisë, ku aktualisht kemi arritur në pikun më të lartë të infektimeve që nga fillimi i pandemisë në vendin tonë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco