Vrau të dashurën ganeze dhe veten/ Pistat e hetimit për krimin që tronditi Tiranën

Vrau të dashurën ganeze dhe veten/ Pistat e hetimit për krimin që tronditi Tiranën

09:43, 04/10/2021
A+ Aa A-

Udhëtimi i së shtunës nga Franca në Shqipëri i ganezes 31-vjeçare për të takuar të dashurin shqiptar ka rezultuar fatal, duke sjellë një krim të dyfishtë në Tiranë. Ngjarja që tronditi kryeqytetin pasditen e së shtunës, nuk është përcaktuar ende nëse kishte si shkak xhelozinë, për shkak të një lidhjeje në distancë, apo ishte një konflikt që lindi pas refuzimit të martesës.

I riu nga Dibra, 26- vjeçari Klinton Pira, familja e të cilit prej kohësh jetonte në zonën e “Don Boskos” në Tiranë, gjatë 3 vitet e fundit kishte emigruar në mënyrë të paligjshme në Angli. Çifti shqiptaro-ganez kishte nisur historinë e dashurisë nga një njohje në internet. Ata duket se kishin një marrëdhënie solide, pasi 26-vjecari postonte foto me të dashurën ne rrjetet sociale, duke i shprehur ndjenjat. Madje mësohet se dashuria e tyre pritej të finalizohej në një martesë.

Por një lidhje e ndarë mes Francës dhe Tiranës, ku në mes kishte xhelozinë, është bërë shkak i debateve të shumta, të cilat vazhduan edhe një ditë para krimit të dyfishtë. I riu ishte deportuar në Tiranë, ndërsa 31- vjeçarja Jawsackie Jaboah vendosi të udhëtojë në Shqipëri, për të sqaruar konfliktet e vazhdueshme.

NGJARJA
Jawsackie Jaboah ka mbërritur në Aeroportin e Rinasit, rreth orës 11:00 të së shtunës. Pasi ka mbërritur në Shqipëri, 31-vjeçarja ganeze është takuar me familjarët e të dashurit të saj, të cilët e kanë shoqëruar në aeroport Klinton Pirën që po shkonte të merrte Jaoah-n. Kushëriri i 26- vjeçarit ka deklaruar në Polici se kur çifti ka qenë në makinën e tij nga Aeroporti i Rinasit deri në Tiranë dhe gjatë kohës që po udhëtonin bashkë nuk kanë debatuar në asnjë moment, përkundrazi, kanë qenë shumë të afërt e të dashur me njëri-tjetrin.

Më pas, me të mbërritur në Tiranë, çifti ka zbritur pranë shkollës “Pjetër Budi”, ku Pira kishte marrë një apartament me qira ditore, për të qëndruar me të dashurën e tij. Por takimi i tyre është kthyer në një skemë krimi, ku sherri ka degraduar në përdorimin e thikës. I riu ka goditur disa herë në gjoks të dashurën e tij, e cila e plagosur rëndë ka mundur të zbresë 8 kate për të kërkuar ndihmë dhe ka gjetur vdekjen më pas në spital. I gjendur në kushte të rënduara psikologjike, 26-vjeçari është hedhur nga kati i 8 i banesës dhe ka ndërruar jetë në vend.

Por tragjedia në familjen Pira ka nisur disa vite më parë, ku i ati i Klintonit, Genci Pira, është gjetur i vetëvaruar në një pemë, në një fshat të Bilishtit. I riu në atë kohë ndodhej në Angli dhe e kishte përjetuar dramatikisht humbjen e të atit. Vdekja e babait u konsiderua si vetëvarje, por në Polici familjarët kishin deklaruar dyshimet e tyre për vrasje, për shkak të një hasmërie të vjetër me një familje tjetër nga Dibra.

HETIMI
Policia e Tiranës ka ngritur dy pista hetimi për vrasjen e 31-vjeçares ganeze me shtetësi franceze, që u qëllua me thikë të shtunën nga 26- vjeçari Klinton Pira, i cili më pas u vetëvra, duke u hedhur nga kati i tetë i pallatit pranë shkollës “Pjetër Budi”. Burime nga grupi hetimor thanë se ka dyshime që çifti ka pasur debate, pasi zënka e tyre është dëgjuar dhe nga disa banorë të pallatit, të cilët në fakt nuk i njihnin, pasi apartamenti ku ndodhi ngjarja ishte marrë me qira ditore nga Pira.

Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se mes çiftit ka pasur një debat që fillimisht ka nisur për çështje xhelozie, për shkak të lidhjes në distancë e më pas ka vijuar me refuzimin për martesë nga ana e shtetases ganeze.

“Falënderoj Zotin që të solli në jetën time”, çifti dedikime në “Facebook”
Çifti që humbi jetën tragjikisht pasditen e së shtunës në Tiranë, pasi 26-vjeçari Kliton Pira qëlloi me thikë një 31-vjeçare të huaj e më pas u hodh nga kati i 8- të i një pallati, kishin ndarë shumë momente të bukura në rrjetet sociale, me foto dhe dedikime dashurie. Në rrjete sociale duket se marrëdhënia mes çiftit ishte e mirë. 26-vjeçari Klinton Pira ka publikuar një foto krah 31- vjeçares Jawsackie Jaboah me mbishkrimin, “Falënderoj Zotin çdo ditë që të solli në jetën time dhe të dua shumë bukuroshe”. Ndërsa në një fotografi tjetër, ai shkruante:

“Premtoj të mbaj zemrën tënde me kujdes dhe ta trajtoj me dashuri”. Nga fotografitë, rezulton se përjetonin historinë e dashurisë që në muajin prill. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 18:00 të së shtunës, në bulevardin “Gjergj Fishta”, në një banesë që e kishin marrë me qira ditore.

Ndërkohë, grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Klinton Pira u përcoll dje në banesën e fundit nga familjarë, të afërm e miq, ndërsa trupi i së dashurës së tij, vijon të mbahet në morgun e Tiranës. Mësohet se autoritetet kanë njoftuar përmes ambasadës franceze familjen e vajzës ganeze, në mënyrë që të vijnë për të tërhequr trupin në Shqipëri./Panorama

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco