VIDEO/ Në familjen heroike Jashari po rritet një talent në futboll

VIDEO/ Në familjen heroike Jashari po rritet një talent në futboll

20:32, 19/02/2021
A+ Aa A-

Familja heroike Jashari nuk njihet vetëm si simbol i Lirisë në Kosovë. Në mesin e pasardhësve të komandatit Adem Jashari, po rritet një futbollist i ri. Për ata që e njohin, për trajnerin, ai është një yll futbolli në ardhje. Bëhet fjalë për nipin e Rifat Jasharit, Igballin.

“Unë mendoj që në të ardhmen të depërtojë në arenën ndërkombëtare, të bëhem yll futbolli dhe të luaj për Kosovën A. Kam qenë fans i Real Madridit, por pasi Ronaldo shkoi tek Juventus, tani jam fans i bardhezinjëve” deklaroi Jashari.

Igballi ushtron në shkollën e futbollit ‘Kurda’ nga e cila kanë dalë futbollistë të njohur si Milot Rashica e Milot Avdyli që tashmë po shkëlqejnë në futbollin evropian.

Trajneri Mehmet Kurda, flet për cilësitë e 15 vjeçarit dhe mendon se mund të arrij në nivele të larta në futboll.

“Igballi është 15 vjeç e gjysmë, është një lojtar mjaft premtues. Atë e njohim të gjithë që vjen nga familja Jashari, përkatësisht nipi i Rifat Jasharit. Ai është pjesë e shkollës tonë prej 4 vitesh e gjysmë, vjen nga Prekazi, është futbollist i rregullt. 4 herë në javë ushtrojmë, nuk mbaj mend të ketë munguar ndonjëherë. Është mjaft i disiplinuar, e do këtë punë. Ai i ka vënë vetës një qëllim, për të arritur lartë. Ai ka një shpejtësi të hatashme, është shumë luftarak në fushë. Është shumë punëtor, golashënuesi më i mirë në skuadër. Në 10 ndeshje ka shënuar 10 gola”

Kush prej familjes Jashari është marrë me futboll?

“Kanë luajtur të gjithë djemtë e xhaxhait futboll, ata e kanë lënë ndërsa unë e kam vazhduar. I kam pas disa shokë, më kanë tregu që trajneri Kurda bën një punë shumë të mirë. Përgatitem prej 4 vitesh në këtë shkollë dhe jam shumë i kënaqur me punën që bën trajneri” thotë Jashari.

Kurda deklaroi se Leipzigu dhe Stuttgarti kanë shprehur interesim për shërbimet e Jasharit dhe së shpejti ai do të transferohet në Gjermani.

“Ka 2 muaj që CV-ja dhe video-t e Igballit kanë shkuar te Leipzigu dhe te Stuttgarti. Ka edhe menaxherë të cilët kanë kërkuar ta afrojnë Igballin. Mendoj se sapo të hapet Gjermania, pasi e dimë që vendi është mbyllur tërësisht, Igballi do të lëvizë” përfundoi Kurda. (Indeksonline)

 

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco