Kryeministër Kurti, çka me ble me 100 euro?!

Kryeministër Kurti, çka me ble me 100 euro?!

Nga Astrit Veliqi - 14/04/2022

Përderisa tashmë kemi hyrë në një krizë të thellë socio-ekonomike, ku gjithçka ka thyer rekord duke u rritur me shifra astronomike, Kosova jonë e brishtë si shtet i ri nuk ‘kapitalizoi’ ndonjë plan e strategji se si të tejkalohet kjo gjendje e rënduar.

Por derisa jemi duke u ballafaquar me këto kriza të njëpasnjëshme, ku goditje të madhe na ka dhënë sidomos lufta me Covid-19, që janë shkaktuar në një vijë shkak-pasojë, si të tilla  po vazhdojnë ende me agresionin rus në Ukrainë.

E kur jemi në këtë katrahurë të krizave të shumta, ku recesioni ekonomik ka prekur edhe vendet me të zhvilluara, tash së fundi qeverisë “Kurti” i ka rënë ndërmend që të ndajë një shumë simbolike vetëm për një muaj për disa kategori, siç janë pensionistët, studentët por edhe punëtorët në sektorin publik dhe atë privat.

Por shtrohet pyetja: Ç’ka me ble me shumën prej 100 eurosh...kur çmimet elementare të shportës familjare kanë prekur shifra rekord, si vaji, mielli, qumështi, sheqeri, pemët, perimet, por edhe rryma e derivatet në Kosovë?!

Megjithatë, se sa mund të zbutet kjo gjendje me një shumë të “lëmoshës” prej 100 eurosh për një pjesë të qytetarëve, kjo nuk do shumë koment, ngaqë një veprim i tillë ka hasur në kritika të mëdha.

E ky veprim i Qeverisë, me shumë është parë si një lloj tërheqjeje nga kërkesa e disa deputetëve që kanë kërkuar që kosovarëve t’u lejohet edhe tërheqja e 30%-it nga Trusti.

Madje hapi i dytë kishte me qenë më pragmatik dhe sidomos për një pjesë të qytetarëve, do ta zbuste në masë të madhe shportën familjare.

Gjithsesi përveç vendimit prej 100 eurosh, i cili vlen vetëm për një muaj, kjo është kundërshtuar jo vetëm nga opozita në vend, por edhe nga analistë e aktivistë të shoqërisë civile.

Sot, Qeveria ka marrë vendim që të ndalohet eksportimi i disa produkteve bazike, për shkak të kizës së vështirë ekonomike.

Pra ky vendim tregon se ne jemi në krizë dhe madje edhe mund të rrezikohemi nga mungesa e produkteve bazike.

Sido që të jetë, përveç tjerave, edhe vendimi i sotëm që paga minimale të rritet në 250 euro ka shfaqur pakënaqësi të shumta nga organizatat sindikale në vend.

Pyetja që duhet shtruar për gjendjen e krijuar e cila kërkon më shumë sesa një përgjigje të sinqertë që duhet t'i drejtohet kreut të ekzekutivit, Albin Kurtit, kishte me qenë kjo: A jetohet me këto para, Kryeministër?!

Por jo, sigurisht edhe ai e di shumë mirë se nuk mund të jetosh kur dihet se pothuaj çdo ditë çmimet po rriten e pagat si zakonisht kanë mbetur në vendnumëro.

E nëse nuk do të këtë një strategji konkrete se si të dilet nga kjo “greminë” sociale dhe ekonomike, kosovarët do ta kenë të vështirë gjatë stinës së nxehtë verore e kur ikja e të rinjve edhe më tutje do të vazhdojë, sikurse edhe pakënaqësia dhe “bombat sociale” do të rriten, për të mos thënë edhe mund të jenë “shpërthyese”.

Prandaj edhe ndarja prej 100 eurosh për qytetarët, në këtë kohë kur dihet se jemi në muajin e madhërishëm të sakrificës njerëzore, mund të konsiderohet edhe si një “sadaka” për Ramazanin.

Krejt në fund, çmimet po fluturojnë, por Kryeministër, pyetja që po kërkon përgjigje është: Ç’ka me ble me 100 euro?!

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco