Edi Rama duhet ndalur në marrëzinë e radhës për ta kthyer  Shushicën në lum të vdekur

Edi Rama duhet ndalur në marrëzinë e radhës për ta kthyer Shushicën në lum të vdekur

- 29/03/2024

Para pak kohësh duke u kthyer nga Gjirokastra e  përshkruajta udhëtimin duke i rënë nga labëria e Tepelenës në mënyrë që të t’i “bëja një vizitë”  luginës së Lumit të Vlorës. E kisha kaluar edhe një vitë e gjysëm më parë këtë destinacion dhe isha mrekulluar prej pamjeve magjepsese të pa përshkruara që mendoj se nuk kanë pasur vëmëndjen e merituar për tu përshkruar aq sa duhet në bukuritë mahnitëse të Shqipërisë së Jugut dhe gjithë trevave  shqiptare në përgjithsisi.

Këtë udhëtim dëshiroja ta bëja më tepër  edhe si një   homazh për ndryshimin e mundshëm që pritet të përjetoj ekosistemi  i liuginës së Lumit të Vlorës, ku do sillte plani i kryeministrit ogurzi që rrjedhën e bukur të këtij lumi me ujë të pijshëm ta kalonte mbrapa malave të Kuçit të Vlorës në shërbim të resorteve turistike, që po ndërtojnë oligargët e kryeministrit të shpallur si investitor strategjikë.

 Ndërsa një shqetësim i shprehur publik ka marrë vëmëndjen e shqiptarëve mbi këtë projekt të padebatuar më parë, si për koiçidencë, m’u kujtua,  kur disa kohë më parë mora në dorë numrin e një reviste së njohur javore amerikane “Time”, që i korespondonte javës 25 prill-2 maj. Në kopertinë këtë herë kjo revistë veçonte si çështje madhore atë të mjedisit global.

Titulli i madh në kopertinë është “Earth Inc”, që në shqip do të thotë “Korporata Tokë”.

Me këtë titull revista përshëndeste një zhvillim të kohëve të fundit, që biznesi i madh ka marrë në dorë çështjen e luftës kundër ndryshimeve të dëmshme klimatike që kanë pasoja mbi mjedisin. Madje në faqen e parë është edhe një titull tjetër miratues, “Ecopreneurs”, që është kombinim i dy fjalëve “ecology” dhe “enterpreuner” (sipërmarrës- biznesmen), që formojnë një fjalë të vetme që do të thotë: biznesmen që kujdeset dhe merr përgjegjësi për çështjet mjedisore. Revista e paraqet bukur këtë zhvillim të ri, duke paraqitur në kopertinë një pemë trungu i së cilës ka përshkuar një tavolinë të një zyre biznesi, ndërsa rrënjët e pemës depërtojnë në dyshemenë e sallës. Dhe pas këtij vetëdijësimi të biznesit të madh për çështjet mjedisore qëndron sigurisht puna e mendimtarëve ekologjistë që për disa breza kanë dhënë alarmin për pasojat mbi klimën dhe mjedisin, e të shfrytëzimit të keq të natyrës nga njeriu. Pra në origjinë është mendimtari, intelektuali dhe qytetari i shqetësuar për çështjet mjedisore dhe klimatike, i cili e ka kauzë të sinqertë këtë angazhim dhe nuk e bën për të nxjerrë përfitime financiare.

Në Shqipëri nuk kemi ende kulturë të tillë, kemi vetëm njerëz të llojit të dytë me shumicë, “personalitete” ekologjike të OJF-ve që marrin donacione nga ambasadat dhe fondacionet e huaja dhe thonë slogane mjedisore nëpër studio televizive apo thërresin kamerat televizive kur mbushin ndonjë thes plastik me plehra nëpër plazhe.

Shkrimtari  Jakov Xoxa  dikur kishte gjetur  mënyrën që të tërhiqte vëmendjen për problemet mjedisore, në mënyrën e tij në kohën e komunizmit . Për këtë mjafton të sjellim si provë titullin e të parit roman madhor të tij “Lumi i vdekur”. Në këtë titull, me dy fjalë është përmbledhur një filozofi e tërë mjedisore. Një lumë mund të vdesë ashtu si një qënie e gjallë, ose mund ta vrasë njeriu. Lumi i vdekur në romanin e Jakov Xoxës është në fakt shtrati i zbrazët i një lumi të dikurshëm i cili ka ndryshuar drejtim.

Ky ish-lumë përbën një fenomen të çuditshëm natyror. Kur uji i detit ngrihej shumë duke qenë batica veçanërisht e fortë, atëherë shtrati i zbrazët i lumit mbushej me ujin e detit, i cili pastaj pasi kishte mbushur shtratin dilte prej tij duke përmbytur gjithë zonën përreth. Kështu shtrati i zbrazur i lumit shërbente si një kanal për të shpënë ujin e detit në thellësi të tokës. Pas këtij paradoksi natyror me pasoja të dëmshme ishte dora e njeriut që gjatë shumë shekujve kishte shpyllëzuar zonën në dy anën e brigjeve të lumit duke shkaktuar erozionin e tokës.

Lumi i vdekur real i romanit   ishte fare pranë qytetit të vjetër të Apollonisë gjë që e bën një provë se edhe të vjetrit e kanë dëmtuar mjedisin, por nuk bënin dot dëme të mëdha sa pasardhësit e tyre të epokës industriale pasi nuk kishin në dorë teknologjinë e tyre.

Zhavorri për ndërtimin e qytetit të famshëm antik duhet të jetë marrë pikërisht në shtratin e këtij lumi gjatë më shumë se dhjetë shekujve të ekzistencës së Apolonisë si një qytet i madh. Kjo do të thotë se kostoja mjedisore e zhvillimit urbanistik, ekonomik që sjell me vete qytetërimi është e pashmangshme por kjo nuk duhet të jetë një shfajësim për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë pasi të vjetrit nuk kanë pasur mundësitë teknologjike të sotme për të mbrojtur mjedisin, dhe nuk kanë qenë në gjendje të bëjnë dëmet që mund të bëjë njerëzimi sot.

Kujdes, lumenjtë mund të vdesin nëse ata dhe zona përreth tyre shfrytëzohet pa u menduar dhe pastaj ata ringjallen të zemëruar dhe risjellin katastrofa! Këtë gjë e kanë provuar paraardhësit tanë, por mund të ndodhë përsëri. Kjo mund të ndodhë jo vetëm me lumenjtë, por me natyrën në përgjithësi. Ky ishte një paralajmërim ekologjik që vinte nga titulli dhe përmbajtja e romanit. “U ngjall lumi i vdekur, mjerë të gjallët”, thonë njerëzit në romanin e Jakovit  .

Një lumë të vdekur do ta kishte quajtur shkrimtari me zemërim  Shushicën e kërcënuar sot në se keqbërësi në Tiranë do ta çonte ujin e këtij lumi 20 km mbrapa maleve të Lumit të Vlorës. Historia e Lumit të vdekur rrezikon të përsëritet edhe me lumenj të tjerë, si p.sh. me Vjosën të cilën duan ta zhbëjnë nëpërmjet ndërtimit pa kriter të hidrocentraleve, që do t’i bëjnë kanionet e saj të mrekullueshme të duken si shtrati i lumit të vdekur të romanit të Jakovit. Vjosa është shpëtuar deri më sot sepse në mbrojtje të këtij lumi janë ngritur njerëz të famshëm nga e gjithë bota. Për Shushicën nuk e di se çfarë do të ndodhë.

Duhet vlerësuar shumë keqëbërësi  i  rrezikshëm në kushtet  kur fuqia totalitare që ka krijuar, i jep çdo mundësi për të mos u kosultuar as me grupet e interesit, as me specialistët, as me masën e madhe të njerëzve që viktimëzohen; me askënd, përveç mëndjes së tij dhe interesave për të mbajtur pushtetin me çdo kusht.

Është shumë zhgënjyes reagimi  i pamjaftueshëm i qytetarëve të qytetit të Vlorës, por edhe të banorëvetë 35 fshatrave të lumit Shushica që fillon me burimet e Kuçit  dhe bashkohet me kthjelltësinë blu të Vjosës në afërsi të Selenicës. Shprehem kështu sepse nuk po dëshmohet ajo që duhej të shihnim fillimisht  për interest e tyre pastaj të natyrës mëmë në përgjithësi  .Sipas ambientalistëve dhe specialistëve uji i burimit kryesor të Shushicës do të futet në një rrjet tubash prej 20 kilometër, për të furnizuar zonat turistike në bregdet.  .

Ekspertët shprehen se ka ekzistuar mundësia për burime alternative “por kjo ka qenë rruga më e thjeshtë”.

Edi Rama po bëhet  një keqëbërës shumë i rrezikshëm që po shkatërron ekonominë, demokracinë dhe natyrën. Shushica është një lumë i vogël, por i rrallë dhe tharja e tij  duhet të ndalet nga një reagimi më i forte i vlonjatëve në radhë të parë .

Ai nuk duhet kthyer në lumë të vdekur. Atë e ka dizenjuar natyra  sipas ndjenjave, prirjeve dhe kthjelltësisë shpirt֝ërore të lebërve të Vlorës.

Shushica si një dhurat e ardhur nga Zoti  u ka shërbyer pa fund jetës së tyre. Gjelbërimit, natyrës shpirtit të qëndisur të vlonjatëve me zakone, këngë, bujari, patriotizëm  dhe trimëri. Dhe në radhë të parë u takon vlonjatëve dhe banorëve të Lumit të Vlorës të zgjohen dhe ta mbrojnë lumin e tyre nga lubia e regjimit që kërkon ta përpij.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco