Pse duhet të protestojmë më 20 shkurt

Pse duhet të protestojmë më 20 shkurt

Nga Nga Agim Nesho - 18/02/2024

Shqiptarët, një popull i mencur dhe heroik, ka mbijetuar në histori dhe ka ruajtur identitetin e tij sepse nuk ka pranuar dhunën, shtypjen, padrejtësinë, pushtimin dhe asimilimin e tij.

Pavarësisht se historia në pjesën më të madhe të saj e ka lënë nën diktaturat më të egra, nga ato feudaleske bizantine, osmane e deri tek ajo komuniste, identiteti i fortë i tij e ka bërë të mbijetojë. Në kohët moderne, vetëm këto 35 vitet e fundit, shqiptarët kanë zgjedhur të jetojnë në një sistem politik të lirë siç është demokracia, ku ata janë përfaqësues dhe aktorë të shtetit të tyre, mbrojtës të shoqërisë dhe vlerave që kanë zgjedhur vetë.

Shqipëria e vitit 2024, pas një regjimi të korruptuar të Edi Ramës prej 10 vitesh, po shket ngadalë drejt një diktature të re të sistemeve autokratike moderne, të përfaqësuara nga sistemi monist i diktatorit Putin. Këto regjime të reja autokratike ruajnë formën demokratike vetëm në mundësinë për të ofruar zgjedhje por i manipulojnë ato, i vjedhin dhe i keqpërdorin ato me patronazhistët dhe makinerinë shtetërore; nuk krijojnë panik dhe frikë me ushtrinë dhe forcën e regjimeve por kapin institucionet e shtetit, blejnë shoqërinë civile, kontrollojnë mediat dhe funksionojnë vetëm me propagandë; nuk mbledhin prona për feudalët por i tjetërsojnë ato në favor të oligarkëve të rinj që mbajnë regjimin duke ju dhënë koncesione, përfitime nga pasuritë publike.

Shqipërisë në 2024 regjimi i Edi Ramës i ka marrë cdo gjë: - shtetin e kapur dhe të paralizuar nga interesat në rritje të mafies; parlamentin jo-funksional për të mos kontrolluar pushtetin e korruptuar; largimin e 1 milion shqiptarëve që dëshpërimisht kërkojnë një jetë më të mirë; marrjen e pronave publike dhe dhënien e tyre klientelës së jashtme dhe të brendshme të regjimit, duke pretenduar një ‘parajsë turizmi’ por duke e kthyer Shqipërinë në një Shqipëri rentiere, ku feudalët e rinj do të pasurohen prej tyre; në një Shqipëri ku drejtësia e kapur dhe e  komanduar është më e padrejtë se drejtësitë monarkike të shekujve 17-18 në Europën Perëndimore; ku opozita konsiderohet armike dhe lideri i opozitës i arrestuar pa akuzë. Për më tepër ky regjim ka vrarë shpresën.

Shqiptarëve sot nuk ju ka mbetur gjë tjetër vecse të protestojnë, të protestojnë fuqishëm për atë që ju kanë marrë në mënyrë të padrejtë: Republikën e tyre.

Shqiptarët duhet të protestojnë kur shikojnë që lekët e tyre vidhen nga aferat korruptive të regjimit për inceneratorët që nuk ekzistojnë, Portin historik të Durrësit, PPP-të, etj. Shqiptarët duhet të protestojnë kur afera korruptive McGonigal dënohet nga drejtësia amerikane, ndërsa arkitekti i aferës në Shqipëri as nuk preket nga drejtësia; kur pensionet e pensionistëve shqiptarë janë më pak se fondet për të burgosurit; kur prodhuesve, bujqve dhe blegtorëve shqiptarë i kanë mohuar ndihmën dhe përkrahjen për t’ju dhënë mundësi të huajve të zotërojnë tregun Shqiptar; kur shqiptarët po humbasin edukimin e tyre nga neglizhenca e qeverisë dhe po kthehemi në një popull prapë analfabet; Kur regjimi më shumë përkrah nacionalistët e rinj serbë dhe Vucic-in dhe harron shqiptarët në Kosovë.

Në qoftë se nuk protestojmë sot për çrrënjosjen e këtij regjimi, nesër do të jetë vonë.

O sot o kurrë!

Agim Nesho

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco