A do ta dekorojë Serbia Edi Ramën?

A do ta dekorojë Serbia Edi Ramën?

Nga Hysni Gurra - 02/10/2023

Përcaktimi i gazetarit të njohur gjerman të Frankfurter Allgemeine Zeitung se Edi Rama është kryeministri më i mirë që ka patur Serbia që nga koha e Nikolla Pashiqit, meriton një pyetje tjetër: A do ta dekorojë Serbia Edi Ramën për shërbimet e vyera që i ka bërë dhe po i bën?

Në momente tensioni mes Kosovës dhe Serbisë, gjithmonë, Edi Rama i ka ushtruar presion kryeministrave të Kosovës. Me Isa Mustafën as denjonte të vendoste komunikim, Ramush Haradinajt i bënte presion për taksën e mallrave serbe dhe e hodhi edhe në gjyq. Me Avdulla Hotin probleme komunikimi dhe qasje, me  Albin Kurtin në ditën më të vështirë për Kosovën bën interesantin dhe anullon mbledhjen e dy qeverive.

Në çështjen e Ballkanit të Hapur, Edi Rama është kthyer në avokat të Vuçiçit dhe prokuror të të gjithë kryeministrave të Kosovës.

Në të gjitha çështjet që ka Kosova me Serbinë, Edi Rama hapur dhe pa drojë është rreshtuar në anën e Serbisë; Ballkani Hapur, çështja e taksës, çështja e targave, çështja e Asosacionit, çështja e sulmit terrorist (edhe vetë Vuçiç arriti dhe dënoi vrasjen e oficerit të policisë së Kosovë, Rama jo), çështja e KFOR-it, thirrjen që bëri Vuçiç për marrjen e veriut në kontroll nga KFOR, atë bëri edhe Rama, madje më me forcë se Vuçiçi.

Në çështjen e sanksioneve ndaj Rusisë për luftën ndaj Ukrainës, Edi Rama, me një ofertë të pa kërkuar, ka mbrojtur Serbinë më shumë se edhe vetë lobistët që ajo paguan.

E ka mbrojtur në median ndërkombëtare, e ka mbrojtur edhe aty ku duhet të fliste një fjalë për Kosovën, në NATO.

Edi Rama nuk e ka patur problem, këto kohë, të sulmojë Rusinë dhe Bashkimin Europian, por nuk ka guxuar të thotë një fjalë kundër Serbisë. Dënimi i zisë për terroristët ishte shumë pak, shumë vonë dhe pasoi reagimin skandaloz ndaj sulmit terrorist ku humbi jetën një oficer i policisë së Kosovës.

Edi Rama ka takuar Vuçiçin më shumë se gjithë takimet me Kryeministrat e Kosovës të marra së bashku.

Serbia ka një mijë probleme si shtet me veten, me të shkuarën e vet dhe sidomos me të ardhmen, por Serbia nuk është shtet mosmirënjohës, ndaj pyetja që shtrohet nuk është : A do ta dekorojë Serbia Edi Ramën, por: Kur do ta dekorojë Serbia Edi Ramën?

Esad Toptani nuk ka bërë për Serbinë as 1/10 e asaj që po bën Edi Rama dhe nderohet edhe sot e kësaj dite në Beograd.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco