Kosova, si gur kilometrik i ardhjes në pushtet të opozitës në Tiranë

Kosova, si gur kilometrik i ardhjes në pushtet të opozitës në Tiranë

Nga Vehap Kola - 21/07/2020

Roli që duhet të luajë Shqipëria në mbrojtjen e interesave kombëtare të popullit shqiptar jashtë kufijve zyrtarë, është aq qendror për shtetin, sa është sanksionuar në Kushtetutë. Me përfshirjen e tij në planin serb për shkëmbimin e territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – më i dëmshmi për interesat e shqiptarëve të Kosovës dhe shtetit të tyre të ri – Edi Rama ka konsumuar një krim kushtetues. Këtë krim, ai e ka bërë duke kandisur Kosovën, duke e dëmtuar atë dhe duke ndihmuar Serbinë.

Fasada e bashkëpunimit të regjimit të Tiranës me Kosovën gjatë këtyre shtatë viteve nuk është dëshmuar vetëm nga mungesa tërësore e produktit të tryezave ndërqeveritare Shqipëri-Kosovë, por nga masat dhe veprimet reale të Edi Ramës në rrafshin politik dhe ekonomik. Tarifa e vendosur në Rrugën e Kombit ka rritur koston e shkëmbimeve ekonomike e kulturore ndërmjet dy anëve të kufirit. Kritikat e Edi Ramës ndaj Kosovës për mospjesëmarrjen në takimet në kuadër të projektit të Minishengenit ballkanik të iniciuar nga Vuçiç kanë cenuar pozitën e Kosovës në procesin e bisedimeve me Serbinë.

Vizita e fundit e Ramës në Kosovë ishte përpjekja e fundit e tij për të marrë nga liderët politikë atje një notë pozitive për politikën e tij karshi shtetit të ri dhe, pse jo, një tagër për përfaqësim mbarëkombëtar në raportet me Serbinë. I dëshpëruar se nuk mori asgjë prej tyre, Edi Rama i është kthyer planit për ta detyruar Perëndimin të kthejë sytë drejt tij, duke shkaktuar trazirë politike në Shqipëri.

Ndërkohë që vendi e kishte mbyllur kapitullin e Reformës Zgjedhore dhe pritej të nisnin përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme, Rama e rihapi debatin me intensitet të lartë, duke përqafuar pozitat e një sovranisti. Ai vërtet kishte dështuar të fitonte pikë ndërkombëtare me rolin e pajtuesit në Ballkan, por mund të rikthehet në kanceleritë e tyre për të marrë garanci për të ardhmen e tij pas humbjes së pushtetit. Pa garanci të tilla, Edi Rama nuk duket se është i gatshëm të pranojë zgjedhje të tilla.

Por loja me Kosovën duket se e ka të lartë çmimin. Projekti i Vuçiç për hapjen e Kutisë së Pandorës në Ballkan dhe investimi aq i madh i Ramës në këtë projekt duket se e kanë vulosur përfundimisht edhe braktisjen totale të këtij të fundit nga Perëndimi. Tani që kapitulli i shkëmbimit të territoreve është mbyllur për të mos u hapur më kurrë, palët janë pozicionuar pa dyzime. Hyrja dhe loja e Ramës në këtë skenar nuk mund të kalojë pa u ndëshkuar. Sa për Vuçiçin, ai ka akoma një detyrë në procesin e negociatave dhe mund të gëzojë edhe pak kohë në pushtet.

Jo vetëm për nga pesha e madhe që ka në stabilitetin e Ballkanit dhe Europës, por edhe nga statusi i saj si indikator i nivelit të patriotizmit të politikës së jashtme të vendit tonë, Kosova po vesh gjithnjë e më shumë në Shqipëri kostumin që Izraeli mban në politikën e jashtme amerikane. Herët a vonë, çdo shkelje e detyrimit kushtetues të mbrojtjes së interesave të POPULLIT SHQIPTAR jashtë kufijve zyrtarë, e veçanërisht në Republikën e Kosovës, do t’i kushtojë politikës në Tiranë.

Ashtu siç shënon zmbrapsjen, Kosova, e përmbajtur dhe hera-herës indiferente, është edhe shenjë e ngjitjes dhe rritjes politike. Plotësimi i programit politik me një komponente shumë të rëndësishme, siç është vizioni për Kosovën dhe për bashkëpunimin shumëplanësh ndërmjet dy vendeve tona, është edhe një gur kilometrik në rrugën drejt pushtetit për politikanët në Tiranë. Natyrisht, kjo nënkupton se ajo komponente duhet të jetë e pranuar dhe e pëlqyer nga vetë shqiptarët e Kosovës dhe shteti i tyre.

Vizita e fundit e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në Prishtinë nuk ka shkaktuar ndonjë gurgule të madhe në Tiranë. Ndoshta nga fakti se ai nuk mbajti asnjë kumtesë me tone nacionaliste, nuk bëri deklarata të forta kundër Serbisë dhe as nuk premtoi bashkimin e Shqipërisë me Kosovën. Gjuha korrekte e Bashës e konturuar sipas kritereve formale të komunikimit politik nuk u jep serbëve asnjë të drejtë për të ngritur pluhur në median ndërkombëtare dhe për të kërkuar avantazhe të padrejta në tryezën e bisedimeve. Duke mos shqetësuar në mënyrë false serbët, Basha nuk ka ngazëllyer as nacionalistët euforikë mes nesh. Angazhimi i Bashës në emër të opozitës për të rikthyer vëmendjen reale ndaj Kosovës, për të hequr pengesat e ngritura nga Rama në fushën e bashkëpunimit ekonomik dhe për të respektuar dhe mbrojtur integritetin territorial të shtetit të Kosovës duket se janë të mjaftueshme edhe për vetë përfaqësuesit politikë në Prishtinë. Mungesa te Basha e protagonizmit mbytës dhe prepotencës që ata kanë gjetur te Rama gjatë këtyre shtatë viteve, u jep liderëve politikë shqiptarë në Kosovë frymëmarrjen e nevojshme dhe u garanton atyre qetësinë e domosdoshme për të ndjekur në mënyrë sovrane një politikë të jashtme “Made in Kosovo”.

Opozita në Shqipëri ndoshta ka të drejtë të jetë entuziaste nga ky stil politik i Bashës në raportet me Kosovën dhe në qëndrimin e tij ndaj çështjes së negociatave Kosovë–Serbi. Ndërsa Rama dhe aleatët e tij të njohur si opozita parlamentare kishin shkuar si të paftuar në Këshillin Politik për të marrë një konfirmim tjetër nga numri dy i PD-së mbi vlefshmërinë dhe pacenueshmërinë e marrëveshjes së 5 qershorit, Basha në Prishtinë po shpaloste një element të rëndësishëm të një politike të jashtme tradicionale, të pranuar dhe të përshëndetur nga Perëndimi.

Megjithatë, opozita duhet të zhvillojë më tej debatin e brendshëm për një doktrinë të plotë dhe solide të politikës së jashtme të imunizuar nga elementët spektakolarë të injektuar nga Rama dhe regjimi i tij gjatë dy mandateve në pushtet. Kjo doktrinë duhet ta kthejë Shqipërinë në pozitat e saj natyrale të mosndërhyrjes në politikën e brendshme në Kosovë, të njohjes dhe mbështetjes së vetëpërfaqësimit të interesave të shtetit të ri nga vetë institucionet e saj dhe përkrahjes së Republikës së Kosovës në shtimin e njohjeve, anëtarësimin në OKB, BE dhe NATO.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Arber21/07/2020 11:41

Po takoi "Argatin" dhe "Qeverine Koti" ?! Gure kilometrik eshte kalimi i 700 000 votave ne Shqiperi.

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco