Djalli fshihet në detaje? Jo…në Presidencë!

Djalli fshihet në detaje? Jo…në Presidencë!

Nga SYRI.net - 09/01/2019

Kur negociohej pakoja e Ahtisarit, të gjithë e dinin, se një kompromis në fund duhej bërë. Pavarësia qe afër. Duhej formalizimi i saj. Çmimi qe tepër i shtrenjtë, ndërsa pasojat afatgjata. Republika u bë, ndërsa Serbia ruajti ndikimin e fortë përmes asaj që do vinte më vonë…Listës serbe.

Me pesë për qind popullatë, por me veto në Kushtetutë dhe pushtet të zgjeruar apo siç njihet diskriminim thellësisht pozitiv, serbët lokalë, të dirigjuar nga Beogradi, përfituan shumë. Shpallja e pavarësisë u sfidua, megjithatë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, ia njohu shtetit tonë legjitimitetin dhe ligjshmërinë  e Republikës.

Një moment i jashtëzakonshëm, që sa pak u shfrytëzua nga lidershipi ynë. Nuk kishin faj. Ishin të zënë me zhvatjen sistematike. Tanimë nuk i pengonte askush. Mund të vidhnin me thasë. Drejtësinë e kontrollonin, mediat i bënë zap, bizneseve iu vendosën haraç, monopolet lulëzuan.

Shteti punonte për oligarkët, qytetarëve iu binte në qafë. Qindra mijëra e braktisën Kosovën, të pashpresë e të lodhur nga sundimi.

Dhe më pas erdhi dialogu. Serbia e rifuti në lojë pushtetin kosovar, që bëri gafën historike. Despoti rihapi statusin, sovranitetin dhe integritetin territorial.

Një vit të tërë, Hashim Thaçi nuk la ditë, media, skutë, pa proklamuar marrëzinë e tij. Herë këmbim territoresh, herë korrigjim kufijsh, herë marrjen e Luginës….

Ja, tash, ku jemi, në kulmin e hipokrizisë politike. Ata që dje bërtisnin “Jo negociata, vetëvendosje”, i shohim të ulur në tryezën e bisedimeve në Bruksel.

Për çfarë negociohet?! Natyrisht, jo për letërnjoftime dhe targa, as për diploma dhe struktura paralele.

“Një dreq i madh është këtu”, kishte thënë një funksionar i njohur i Kosovës komuniste.

Djalli fshihet në detaje, por në rastin e Kosovës, dihet se ku është adresa.

Specialja i rri mbi kokë  djallit kosovar, e ky i fundit, i rri mbi krye popullit të tij.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco