Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

Prapaskena diplomatike e vizitës së ministrit Çavushoglu në Tiranë

Prapaskena diplomatike e vizitës së ministrit Çavushoglu në Tiranë

Nga Bled Komini - 25/10/2018

Vizita e pak ditëve më parë e Ministrit të Punëve të Jashtme të Turqisë Mevlut Çavushoglu në Tiranë, edhe pse u prezantua prej qeverisë dhe në mediat kryesore në vend si një vizitë zyrtare, në të cilën tema kryesore ishte ajo mbi intensifikimin e bashkëpunimit reciprok strategjik (me krijimin e Këshillit të Nivelit të Lartë), si dhe kërkesa e përhershme mbi dorëzimin e anëtarëve dhe sekuestrimin e pasurive të grupit FETO në Shqipëri, në fakt nuk ishte vetëm kaq.

Kuptohet se vizita të tilla kortezie mes ministrave të linjës janë mëse normale dhe zhvillohen herë pas here, por kur diçka zjen nëntokë, misioni i tyre nuk është vetëm kortezial e diplomatik. Ndaj ata përveç kuadrit diplomatik, përcjellin edhe shqetësime apo synojnë të informohen për zhvillime të rëndësishme me impakt rajonal në shtetet fqinje dhe veçanërisht te të ashtuquajturit partnerë strategjikë.

Arsyeja kryesore e kësaj vizite, me sa po del në dritë, në të vërtet ishte të informohej më tej mbi ecurinë e marrëveshjes pothuajse të arritur në letër mbi kufirin detar mes Shqipërisë dhe Greqisë, kureshtje e nxitur nga deklaratat e shpeshta të kohëve të fundit të Athinës, se së shpejti Greqia do e zgjerojë kufirin detar deri në 12 milje në Egje dhe Jon.

Duhet sjellë në vëmendje, se Athina është përpjekur disa herë të zgjerojë vijën e saj kufitare detare nga 6 deri në 12 milje në Egje dhe kjo gjë ka sjellur përplasje të shpeshta mes saj dhe Turqisë prej dekadash. Incidente të shumta e të rënda si ato të viteve 1974, 1987, 1996-1997, 2013 apo dhe ai i fillim vitit 2018, kanë treguar se të dyja vendet nuk tërhiqen pas prej interesave të tyre.

Mesazhi i dhënë prej zyrtarëve më të lartë turq, se “Turqia është e aftë të luftojë ne dy fronte” teksa trupat turke po futeshin në Afrin në janar të këtij viti, i drejtohej pikërisht Greqisë, me të cilën Turqia po konsumote debate të ashpra për një incident të ndodhur mes dy anijeve, ku një anije turke goditi një tjetër anije bregdetare greke në Imia, ishull i pretenduar prej të dy shteteve.

Siç u theksua qartë në reagimin e ministrit Çavushoglu të datës 23 tetor, mbi deklaratat e lëshuara në ceremoninë e lamtumirës së ministrit Kotzias, u kuptua se vizita e tij në Tiranë nuk ishte aspak e fokusuar vetëm mbi grupin FETO dhe aktivitetin e tij, ose ekstradimin e pjestarëve të këtij "sekti", por ajo theksoi e zbuloi hapur faktin se tashmë Tirana e ka mbyllur marrëveshjen me Athinën, precedencë nga e cila mund të dëmtohet shumë Ankaraja. Për këtë arsye besoj se ministri Çavushoglu vizitoi Tiranën dhe i ka shprehur hapur homologut Bushati shqetësimin e shtetit turk.

Ky interesim i Ankarasë i shprehur në një moment delikat për zhvillimet politike Athinë-Tiranë dhe Athinë-Shkup, tregon brishtësinë e ekuilibrit diplomatik rajonal në të cilin gjendet Ballkani. Ky moment delikat ngërthen tre çështje të cilat janë diskutuar dhe ende s'kanë marrë një zgjidhje përfundimtare.

E para për nga rëndësia dhe impakti sigurisht që është ajo mes Turqisë dhe Greqisë në lidhje me kufirin detar mes tyre. Greqia është përpjekur disa herë me deklarata që ta rris kufirin detar mes saj dhe Turqisë nga 6 në 12 milje, por kjo ka rezultuar e pamundur, në mos gati ka nxitur një konflikt rajonal. Kjo mosmarrëveshje ka nisur shumë herët, që në vitet '30 të shekullit të kaluar dhe që atëherë nuk ka gjetur zgjidhje.

Çështja e dytë, ka të bëjë me momentin historik që po kalon Maqedonia. Votimi i ndryshimeve kushtetuese të cilat miratojnë ndryshimin e emrit, ja lënë tashmë topin në derë Athinës. Kështu, qeveria e drejtuar prej A. Tsipras e gjendur përballë presionit ndërkombëtarë nga njëra anë që i kërkon kalimin dhe miratimin në parlament të Marrëveshjes së Prespës dhe atij brenda vendit të grupeve radikale nacionaliste, që nuk e duan marrëveshjen, po "shijon" këto ditë edhe një skandal në lidhje me fondet sekrete të Ministrisë së Punëve të Jashme, nga i cili preken edhe vendet fqinje si Maqedonia e Shqipëria.

Ndërsa e treta, por jo fare pa rëndësi, është marrëveshja për delimitimin e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë. Është pikërisht kjo marrëveshje që sipas Ankarasë mund t'i hedhë benzinë zjarrit greko-turk të mbajtur nën kontroll për pothuajse një treçerek shekulli.

Në fakt nga ajo që qarkullon jo zyrtarisht, marrëveshja mes Athinës e Tiranës, si një paketë ku janë të përfshira edhe disa marrëveshje të tjera, në princip ka gjetur një dakordësi, por mospasja e një mbështetje prej presidentit Meta (që ka futur në valle Gjykatën e sakatuar Kushtetuese), thjesht ka bërë që ajo të shtyhet edhe për pak kohë duke mos i garantuar Athinës një sukses absolut e të shpejt.

Sesa e gatshme do jetë Shqipëria për t'u gjendur e përgatitur mes një konflikti greko-turk, kjo nuk dihet me siguri, por fakti që tani tensionet janë ndezur, mund të bëjnë që Tirana zyrtare ta shohë veten përballë Greqisë që do kërkojë me insistim nënshkrimin dhe miratimin e marrëveshjes, dhe Turqisë që nuk do lejojë që një vend i vogël si Shqipëria t'i sjellë tek dera një luftë të madhe me Greqinë apo vënien në diskutim të interesave të saja strategjike.

Kështu deklaratat e M. Çavushoglu, nxorën zbuluar politikën e jashtme bipolare të Tiranës, ku për ta mbajtur mirë me të tërë, shiti tek fqinjët dhe partnerët, më shumë sesa kishte takat të blinte.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco