Shkëmbi i territoreve midis Kosovës e Serbisë një ide e tmerrshme

Shkëmbi i territoreve midis Kosovës e Serbisë një ide e tmerrshme

Nga Judy Dempsey - 20/09/2018

Liderët e Serbisë dhe Kosovosë po planifikojnë një shkëmbim territoresh. Ata thonë se kjo do të ulë tensionet etnike dhe do të kontribuojë për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Disa komentatorë e politikanë mendojnë se është ide e madhe.

Mos vini bast për këtë. Propozimet paraqesin rreziqe të mëdha – jo vetëm për këto dy vende por për të gjithë rajonin. Ato mund të vendosin precedentë të fuqishëm për liderë që kanë ambicie separatiste.

Ajo çka presidenti i Kosovës Hashim Thaçi i referohet si “korrigjim kufijsh” mund të nxitë lehtësisht nacionalistët në këtë pjesë të Evropës për të kërkuar ndryshime të ngjashme. Ajo mund t’i ofrojë frymëzim destruktiv Kroacisë, Shqipërisë, Bosnjës dhe Maqedonisë, ku lëvizjet nacionaliste dhe disa liderë digjen nga dëshira për të pasur vende etnikisht homogjene.

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka dalë fuqishëm kundër planit, duke përmendur nevojën për të ruajtur “integritetin territorial” të vendeve të rajonit. Ajo ka të drejtë. Si një nga liderët e paktë të Evropës me interesim të vazhdueshëm për Ballkanin Perëndimor, ajo e di që stabiliteti është i brishtë.

Habitshëm, SHBA nuk është dakord me pikëpamjen e Merkelit. “Politika amerikane është që nëse dy palët mund të punojnë së bashku dhe arrin në një marrëveshje, ne nuk i përjashtojmë rregullimet territoriale”, tha këshilltari i sigurisë kombëtare John Bolton. “Ne nuk do të bëheshim pengesë dhe nuk mendoj se ndokush në Evropë do të bëhej pengesë nëse dy palët në konflikt arrijnë një marrëveshje të kënaqshme reciproke”.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka axhendën e tij prapa shkëmbimit të territoreve. Ai nuk e ka pranuar kurrë pavarësinë e Kosovës, e cila e deklaroi atë në mënyrë të njëanshme më 2008. Për shumë serbë, Kosova ende konsiderohet si djepi i historisë dhe kulturës serbe.

Disa vende anëtare të Bashkimit Evropian, ndër to Spanja e Greqia, nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. (Spanja u druhet komplikacioneve nga përpjekjet e Katalonjës për pavarësi, ndërsa Greqia është përkrahëse e hershme e Serbisë). Por Vuçiç kërkon me dëshpërim edhe anëtarësimin në BE. Mund t’ia arrijë vetëm nëse Serbia njeh Kosovën. Por meqënëse nuk i leverdis të armiqësohet me përkrahësit e tij nacionalistë, ai beson se mund t’ia ndalë me një shkëmbim trojesh.

Versioni aktual i planit parashikon shkëmbimin e pjesës veriore të Mitrovicës, e cila është pjesë e Kosovës me shumicë serbe, me luginën serbe të Preshevës, ku shqiptarët përbëjnë shumicën. Shqiptarët në Mitrovicë janë kundër idesë, ashtu si dhe serbët në Luginën e Preshevës. Është krejt e paqartë se çfarë do të ndodhë me këtë pakica etnike. Potenciali për konflikt është i madh, veçanërisht sepse as Vuçiç as Thaçi ende nuk janë takuar me komunitetet përkatëse për t’u shpjeguar implikacionet e mundshme të një shkëmbimi territoresh.

Vetë Kosova nuk është mjaftueshëm e stabilizuar për t’iu nënshtruar shkëmbimeve të tilla. NATO, e cila ndërhyri më 1999 për të ndaluar politikën brutale të spastrimit etnik të ndjekur nga Slobodan Millosheviç, i dha fund luftës në ish-Jugosllavi. Por urrejtja etnike midis serbëve e kosovarëve vazhdon. Kjo është arsyeja pse atje janë dislokuar mbi katër mijë trupa të NATO-s, për të ruajtur paqen. Kur Vuçiç vizitoi Kosovën para disa ditësh, disa veteranë lufte shqiptarë nuk e lejuan të vizitonte një fshat të dominuar nga serbët. Kjo tregon sa i madh është mosbesimi për shkëmbimin e propozuar të tokave.

Që nga viti 1999, BE ka hedhur 2.6 miliardë dollarë në Kosovë me synim ndërtimin e institucioneve demokratike, shtetin ligjor dhe drejtësi të fortë e të pavarur. E megjithatë, arritjet kanë qenë zhgënjyese, falë dështimit të Brukselit në marrjen e masave efektive për të luftuar korrupsionin dhe për t’i dhënë fund politizimit të gjykatave.

Përtej Kosovës e Serbisë, propozimi i shkëmbimit të territoreve përman rreziqe të mëdha.

Korrigjimet e kufijve – gjë që rrakllë ndodh në kohë paqeje – kanë nevojë për institucione të forta e demokratike për të mundësuar realizimin paqësisht. (Ndarja e Çekosllovakisë ishte një përjashtim i rrallë). Në Ballkanin Perëndimor, megjithatë, institucione të tilla janë shumë të dobëta, ekonomitë dominohen nga oligarkët lokalë, korrupsioni është në kulm dhe shoqëria civile është nën presion të jashtëzakonshëm nga elitat politike.

Merrni Bosnjën. Në mesin e viteve ’90, vendi ishte i ndarë në dy rajone autonome – një federatë boshnjakësh muslimanë e kroatësh nga njëra anë dhe Republika Serbe nga ana tjetër. Qeveria qendrore dhe administrata mbetet e dobët dhe e përçarë, ndërsa BE ka qenë tepër joefektiv në mbikqyrjen e zbatimit të reformave politike dhe ekonomike. Një marrëveshje Serbi-Kosovë do t’u jepte në dorë kroatëve dhe serbëve në Bosnjë një mundësi të artë për të vepruar për t’u bashkuar territorialisht me Kroacinë e Serbinë.

Për sa i përket Maqedonisë, udhëheqja e re liberale – e cila negocioi me Greqinë për arritjen e marrëveshjes për emrin e ri – shpreson se tani është qëndrueshëm në rrugën drejt BE dhe NATO-s. Por shkëmbimi i territoreve mes Kosovës e Serbisë mund ta dëmtonte progresin. Ai mund të çonte ujë në mullirin e nacionalistëve që kundërshtojnë afrimin me Greqinë dhe në atë të nacionalistëve etnikë shqiptarë që mund të bëjnë fushatë për të pasur rajonin e tyre autonom.

Shkurt, rreziku nuk mund të anashkalohet. Evropa është tashmë e mbytur në politika nacionaliste, anti-imigracion  e populiste që gjejnë strehë në identitetin etnik. Dhe, edhe nëse liderët serbë e kosovarë betohen që planet e tyre për shkëmbim territoresh janë ekskluzivisht vetëm për këto dy vende, nuk ka asnjë propozim se si mund të garantohet mbajtja e këtij betimi.

Marrë nga Washington Post-Përgatiti: SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco