Lajmi i fundit

Analiza e institutit të njohur amerikan: Rama është Erdogani i ri, po përdor drejtësinë për të goditur opozitën

Pse nuk duhet dënuar gjesti i Xhakës e Shaqirit

Pse nuk duhet dënuar gjesti i Xhakës e Shaqirit

Nga Marco Bernardini - 23/06/2018

Është e vërtetë që sporti duhet të përfaqësojë momentin më fisnik për mendimin njerëzor, sidomos kur eventi është planetar siç është rasti i Olimpiadave apo i Kupës së Botës në futboll.

E nëse në lashtësi edhe mbretëri luftarake si ato të Greqisë gjatë periudhës “së shenjtë” të lojërave pezullonin çdo aksion lufte, ndodhte për shkak se ndonjëherë mosarsyeja mund të mposhtet nga arsyeja.

Parë nën këtë këndvështrim, të paktën formalisht, ‘gjesti i shqiponjës’, me të cilin dy lojtarët kosovarë të Zvicrës, Xhaka e Shaqiri, shfaqën para gjithë botës gjendjen e tyre shpirtërore pasi mundën Serbinë, shkon kundër etikës sportive dhe mund të ndëshkohet.

Në realitet, gjërat nuk janë kaq të thjeshta e para se të gjykohet për dënim, jashtë vendi sipas meje, duhet reflektuar e arsyetuar mbi atë çka i ka shtyrë dy lojtarët helvetë të bëjnë një veprim që irritoi jo pak qeverinë e Beogradit dhe vuri në alarm FIFA-n.

Shpirti human, meqenëse fatmirësisht ende nuk jetojmë si inteligjencë artificiale, në raste të caktuara i largohet atij që duhet të jetë qëndrimi i sugjeruar nga racionaliteti. Impulse, pak a shumë të fshehura, e ndjenja të ndryshme që kujtimet i sjellin nga larg sundojnë mbi arsyetimin e ftohtë dhe vendosin mbi sjelljen e individit.

Historia e Xhakës e Shaqirit duhet të jetë emblematike edhe për ata që mendojnë e thonë që midis politikës e sportit nuk duhet të ketë përzierje.

Në këtë rast, më tepër se për politikë duhet folur për luftë. Për atë luftë tragjike të përgjakshme që në fundin e viteve ’90 e shndërroi rajonin e Ballkanit në një lloj kasaphane të tmerrshme në qiell të hapur.

Në veçanti Kosovën, ku milicitë serbe të Millosheviçit e shpërthyen tërbimin e tyre kundër popullsisë shqiptare në një gjakderdhje pa precedent për epokën kontemporane. Dikush arriti të largohej, duke lënë tokën e tij bashkë me miq e të afërm që nuk i pa më kurrë.

Ishin, me plot kuptimin e fjalës, pararoja e asaj ushtrie gjigante të përbërë nga ‘emigrantë’ në arrati për të mbijetuar që herë pas here turbullon Evropën. Xhaka e Shaqiri në atë kohë ishin dy fëmijë që, bashkë me prindërit e tyre, ndryshe nga shumë të tjerë, patën fatin t’ia dilnin e të adoptoheshin nga Zvicra deri në bërjen qytetarë helvetë (Në fakt Xhaka është lindur në Bazel, Shaqiri në Gjilan të Kosovës-Shënim SYRI.net).

Por futbollistët, para se të arrinin të largoheshin, u shënjuan në shpirt e mendje. Bomba, ekzekutime, vdekje e frikë. Shumë frikë. Mbrëmë, në momentin e gëzimit më të madh personal, mund ta shmangnin rishikimin si në një film horror të skenave që, për fajin e baballarëve të kundërshtarëve në fushë, i detyruan të jetonin një fëmijëri ferri mbi tokë.

E kështu, me radhë, bënë të fluturonte shqiponjën. Ja pse jo vetëm që nuk duhen dënuar, por duhen kuptuar e mbështetur nga solidariteti i të gjithëve.

Calciomercato.com-Përgatiti SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco