Lajmi i fundit

PE rrëzon propagandën e Ramës: Ndryshe nga Mali i Zi, për Shqipërinë nuk ka vit për anëtarësimin në BE

SYRI TV/ Industria ka hyrë zyrtarisht në recesion, shkak rritja e kostove të operimit

SYRI TV/ Industria ka hyrë zyrtarisht në recesion, shkak rritja e kostove të operimit

20:04, 27/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga SYRI TV
Sektori i industrisë hyri zyrtarisht në recesion në vitin 2024, ndërsa tendenca u përkeqësua dhe në pjesën e parë të viti 2025.

Të dhënat e INSTAT bënë të ditur se industria në total pësoi rënie me 4.55% në vitin 2024, hera e parë me ecuri negative që nga periudha e pandemisë, kur tkurrja ishte 7.32%. Industria përpunuese u reduktua me 3.65%, me ecuri më negative sesa gjatë periudhës së pandemisë (-3.58%).

Sektori nuk po arrin të dalë nga rrethi vicioz ku ka hyrë, e shkaktuar nga rritja e kostove të operimit të aktivitetit dhe të personelit apo dhe koniunkturës së pafavorshme ndërkombëtare.

Shtimi i kostove është i vështirë që të transferohet në çmime për shkak të uljes së konkurrueshmërisë. Rënia e Euros është një tjetër faktor që ka ndikuar negativisht eksportuesit për të disatin vit radhazi, ndërsa prodhuesit, që marrin lëndën e parë nga importi, i ka lehtësuar disi.

Mungesa e fuqisë punëtore është një tjetër arsye që po ndikon negativisht te prodhimi. Kriza e sektorit ka bërë që kontributi i industrisë në ekonomi të vijë në rënie të vazhdueshme.

Në 2024-n, pesha e industrisë në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) zbriti në 7.6%, nga 8.47% vitin e mëparshëm, sipas të dhënave të INSTAT. Ky është niveli më i ulët në 15 vjet, që nga 2009-a, kur ky sektor zinte 6.72% të PBB-së, Raporton Monitor.

Më pas, ai nisi një rritje të vazhdueshme, e ndikuar fillimisht nga industria nxjerrëse dhe më pak nga përshpejtimi i aktivitetit të sipërmarrjeve të përpunimit. Aktiviteti i industrisë po zgjerohet me ritme shumë më të ulëta se ai i sipërmarrjeve të tjera, si ndërtimi dhe energjia.

Një tjetër sector që ka shënuar rënie është edhe industria e përpunimit të peshkut. Ky sektor mbetet nën potencial për shkak të kufizimit të kuotave të eksportit.

Humbjet nga rënia e Euros gjithashtu përbëjnë shqetësim edhe për eksportuesit e industrisë përpunuese të peshkut. Sipas INSTAT, në vitin 2024, eksportet e grupit “Peshku dhe kafshët guaskore të nënujshme”, ranë me 9.2% në sasi dhe 10.8% në vlerë, duke shënuar tendencën më negative që nga viti 2013, kur kishte filluar zgjerimi i vrullshëm i sektorit. Ndryshe nga viti 2023, kur eksportet në sasi ishin në rritje, por në vlerë u ndikuan nga Euro, në 2024-n kishte më pak shitje edhe në sasi.

Ndërkohë eksportuesit e veshjeve të këmbëve janë në vitin e tretë të rënies. Kjo industri, që ka edhe sipërmarrjet më të mëdha në segmentin që punon me material porositësi, po pengohet nga dy sfida. Së pari, rënia e ndjeshme e Euros ka ulur të ardhurat në Lek të eksportuesve.

Dhe së dyti, ata po përballen me probleme të mëdha në gjetjen e fuqisë punëtore, duke bërë që të mos e përballojnë dot kërkesën nga porositësit. Këtyre u shtohen edhe rritja e kostove, e ndikuar në pjesën më të madhe nga rritja e pagës minimale, që në prill 2023 u bë 40 mijë lekë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco