Fondi i BE për rimëkëmbjen pas Covid, funksionoi, por jo siç pritej

Fondi i BE për rimëkëmbjen pas Covid, funksionoi, por jo siç pritej

07:20, 16/03/2024
A+ Aa A-

Fondi i rimëkëmbjes pas Covid-19 ka funksionuar, por jo ashtu siç ishte menduar. Ai pritet të hapë rrugën për më tepër shpenzime të përbashkëta europiane, shkruan The Economist

Kanë kaluar pothuajse tre vjet që nga hyrja në fuqi e fondit të rimëkëmbjes së Bashkimit Europian. I njohur në zhargonin e Brukselit si NextGenerationEU (NGEU), ky buxhet shumëvjeçar ka një vlerë prej 832 miliardë eurosh (897 miliardë dollarë, ose sa rreth 5.2% e PBB-së së bllokut) dhe financohet nga borxhi i përbashkët i BE-së.

Është risia kryesore politike që u nxit nga pandemia në Europë. Disa e quajtën atë çasti Hamiltonian i Europës, duke e krahasuar me federalizimin fiskal të Amerikës, të organizuar nga Alexander Hamilton, sekretari i parë i Departamentit të Thesarit në Amerikë.

Por BE-ja nuk mund të quhet aspak një federatë fiskale. Ministrat e Financave të shteteve veriore të kontinentit këmbëngulin se fondi i rimëkëmbjes ishte një rast i rrallë që nuk ka gjasa të përsëritet. Dhe shkalla e suksesit të tij është ende e paqartë.

Së shpejti, Komisioni Europian do të paraqesë analizën e parë të shpenzimeve të fondit. Paratë janë ende duke u shpenzuar, kështu që efekti ekonomik i fondit është i vështirë për t’u matur. Çuditërisht, ekspertët nuk mund të bien dakord se cili ishte saktësisht qëllimi i fondit.

Por kjo nuk është për t’u habitur. Sepse ashtu si politika kombëtare fiskale nuk i shërben një qëllimi të vetëm, e njëjta gjë është e vërtetë edhe për BE-në.

Fillojmë me qëllimin afatshkurtër të fondit, që ishte parandalimi i një krize tjetër të Euros, siç ndodhi në vitet 2010-12. Në fillim të vitit 2020, Banka Qendrore Europiane (BQE) ndërhyri me ashpërsi për të ndalur normat e interesit për borxhin e stërmadh të Italisë, një shtet që u godit rëndë nga pandemia.

Për të plotësuar veprimet e BQE-së, BE-ja ra dakord që të vinte në punë mjetet e saj fiskale, për të ndihmuar vendet më të varfra dhe ato të goditura më rëndë nga pandemia.

Shuma e ndihmës varionte nga 10.8% e PBB-së për Italinë, në 0.6% për Holandën (shih grafikun). Tregjet mësuan se BQE-ja do të bëjë “çfarëdo që të nevojitet” për të ruajtur euron (siç premtoi gjatë krizës së euros), dhe se në një kohë krize, shtetet më të pasura të BE-së do të ndihmojnë ato më të varfrat.

Në këtë drejtim, fondi ka qenë një sukses.

Qëllimi i dytë i fondit ishte të ndihmonte rimëkëmbjen nga recesioni i shkaktuar nga Covid-19. Kjo nuk kishte kurrsesi si të funksiononte, sepse stimuli fiskal nuk duhet të përqendrohet në investime, por në nxitjen e konsumit, siç bëri Amerika me stimujt ekonomikë për qytetarët, ose shkurtimet e taksave.

Shpenzimet e BE-së, të cilat duhet të realizohen nga qeveritë kombëtare dhe të përqendrohen në investime, nuk kanë të njëjtin efekt.

Ato mund të kenë shërbyer si një sinjal se paratë do të vijnë dhe se qeveritë dhe investitorët mund të fillojnë të planifikojnë, argumenton Zsolt Darvas nga Instituti kërkimor Bruegel, me seli në Bruksel. Në fund, ekonomistët ishin të kënaqur që paratë u shpenzuan ngadalë, përndryshe mund të ishte rritur inflacioni.

Por si një mjet për rimëkëmbje, fondi nuk solli ndonjë ndryshim të madh.

Për sa u përket përpjekjeve për të bërë ekonomitë europiane më ekologjike dhe të dixhitalizuara, shtetet më të varfra morën shumat më të mëdha. (Shtetet më të pasura nuk morën shumë përfitime dhe do të marrin përsipër barrën më të madhe për shlyerjen e borxhit).

Qeveria e Greqisë, shumë e dhënë pas reformave, krijoi një komision të kryesuar nga Sir Christopher Pissarides, fitues i çmimit Nobel për ekonominë, për të përdorur paratë e fondit në fushat më të volitshme që sjellin ndryshimet më të mëdha.

Ka pasur disa përfitime nga kjo. Planet për dixhitalizimin e administratës publike dhe vendosjen e paneleve diellore, u bënë më ambicioze.

Falë mbikëqyrjes nga komisioni, u parandaluan disa nga planet më qesharake, si propozimi i Italisë për të ndërtuar me paratë një stadium futbolli.

Kjo qasje e mbështetur në ecurinë që kanë pasur shtetet me reformat mund të zbatohet edhe në të ardhmen për shumicën e shpenzimeve të BE-së.

 

Probleme

Megjithatë, ka pasur edhe probleme. BE-ja ka sponsorizuar disa projekte të kota: subvencionet bujare qesharake të Italisë për rinovimin e gjelbër të shtëpive, u bashkëfinancuan nga BE-ja me 14 miliardë euro.

Investimet si qendrat e kujdesit për fëmijët kanë nevojë për staf të përhershëm, ndërsa NGEU është financim që jepet vetëm një herë, kështu që projekti nuk është i sigurt. Pjesa më e madhe e parave nuk janë shpenzuar ende, kështu që nuk mund të jepet një gjykim përfundimtar.

Por deri tani, rezultatet kanë qenë të përziera. “Italisë ju dhanë shumë para dhe nuk kishte kohë të mjaftueshme për t’u siguruar që ato para do të shpenzoheshin siç duhet”, argumenton Tito Boeri nga Universiteti Bocconi.

Paratë gjithashtu kishin për qëllim të ndihmonin shtetet që të zbatonin reforma të vështira politikisht, për të nxitur rritjen ekonomike.

Ky synim duket më premtues. Qeveria greke synon të riorganizojë përgjegjësitë e niveleve të ndryshme të qeverisjes, sistemit shëndetësor dhe planifikimit hapësinor.

Qeveria italiane filloi reformimin e sistemit gjyqësor, shumë të vjetruar. Paratë janë një nxitje për t’ju përmbajtur reformave mbi të cilat është rënë dakord dhe ato janë veçanërisht të rëndësishme për një vend që i ndryshon shpesh qeveritë.

Por Italia nuk ka arritur të rrisë nivelin e konkurrencës në ekonomi. Përpjekjet e tjera, si reformat e ligjit të punës në Spanjë, kanë qenë më pak ambicioze. Ndoshta BE-ja do të këmbëngulë që shtetet t’u përmbahen premtimeve të tyre.

Joshja për problematikët

Qëllimi kryesor i fondit NGEU ishte të joshte “të pashtruarit” e BE-së, shtete të drejtuara nga e djathta e fortë populiste.

Duke nuhatur mundësinë e miliardave që mund të merrnin nga Brukseli, Polonia dhe Hungaria pranuan me ngurrim kompetencat e reja të Komisionit Europian, për të vëzhguar nëse shkeljet e shtetit të së drejtës kërcënojnë interesat financiare të bllokut.

Të dyja vendet duhet të përmbushin disa “kushte të rrepta” për të marrë fonde. (Vendimi i BE-së në dhjetor për t’i ofruar Hungarisë shumën prej 10 miliardë eurosh që më parë ishte pezulluar, nuk kishte lidhje me këto mekanizma të rinj vëzhgues).

Kritikët argumentojnë se shtysat e BE-së janë të përcipta: ato nuk mund të riparojnë dot dëmin e demokracisë në Hungari dhe as në Poloni. Por sidoqoftë, për herë të parë, BE-ja ka në dispozicion një levë financiare për t’i shkurajuar vendet që të shkelin sundimin e ligjit.

Dhe ajo mund të vendosë që fondet e bllokut të mos shkojnë për qeveritë autokratike.

Pra, në tërësi, mund të themi se, deri tani, fondi i BE-së ka qenë pozitiv. Disa duan më shumë skema të tilla. “Sido që të jetë çështja në BE këto ditë, NGEU është përgjigjja”, thotë Mujtaba Rahman nga shoqëria këshillimore Eurasia Group.

Duke cituar Hamiltonin, federalistët europianë shpresojnë se borxhi i përbashkët, “do të jetë një bekim kombëtar për ne dhe një mjet i fuqishëm për bashkimin tonë”.

Por një lloj tjetër Hamiltoni ofron udhëzime më të mira. Në matematikë, një cikël Hamiltonian quhet një vijë që pasi përshkon të gjitha nyjet, rikthehet në pikën e origjinës.

Kjo do të jetë edhe rruga që do të ndjekë fondi i rimëkëmbjes. Kështu që, pasi të ketë shpenzuar 832 miliardë euro në 27 shtete anëtare, BE-ja duhet të kërkojë një buxhet më të madh dhe më shumë autoritet..MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco