Energjia elektrike/ Humbjet, 1.65 miliardë kWh, konsumi i biznesit bie

Energjia elektrike/ Humbjet, 1.65 miliardë kWh, konsumi i biznesit bie

09:34, 02/03/2024
A+ Aa A-

Gjatë vitit 2023, pavarësisht rritjes ekonomike të supozuar, konsumi energjetik i vendit pësoi një rënie të lehtë ndërsa humbjet vijuan të qëndrojnë në nivelin 21%, një sasi e stërmadhe energjie me vlerë tregtare prej 180 milionë eurosh.

Nga Gjergj Erebara, BIRN

Bumi i sektorit të turizmit dhe rritja ekonomike duket se nuk patën ndonjë efekt në nivelin e konsumit të energjisë elektrike në Shqipëri gjatë vitit 2023, gjë që sugjeron që, ose eficienca e përdorimit të energjisë është përmirësuar ndjeshëm, ose që faktorë të tjerë negativë kanë shkaktuar rënie në segmente biznesi të ndryshme nga turizmi. Dhe ndërsa ecuria e konsumit ka qenë në vendnumëro, të dhënat mbi nivelin e humbjeve tregojnë se kompanitë e sistemit, në veçanti shpërndarja, vijojnë të humbasin më shumë se një në çdo pesë kilovatorë të hedhur në rrjet.

Të dhënat e bilancit kombëtar të energjisë elektrike, të publikuar nga INSTAT, tregojnë se në vitin 2023, konsumi ra me 0.7% në 7.88 miliardë kWh. Konsumi i familjeve u rrit me 1.3% ndërsa konsumi jo familjar u ul me 2.7%.

Ndërkohë, humbjet e sistemit ishin në nivelin 1.65 miliardë kWh, ose 21% e totalit të energjisë së hedhur në rrjet. Në vitin 2022, humbjet patën rënë në 20.9%. Treguesit e humbjeve në sistem nuk kanë shënuar përmirësim që nga viti 2019. Niveli “normal” i humbjeve të pranuara është 8 për qind e energjisë së hedhur në rrjet, gjë që do të thotë se diferenca, prej afro 1 miliardë kilovatorësh, është krejtësisht e papranueshme për kompanitë normale të transmetimit apo shpërndarjes.

Aktualisht çmimi i energjisë elektrike të importuar është afro 110 euro për MËh dhe rrjedhimisht kostoja e humbjeve anormale arrin në mbi 110 milionë euro në vit.

Statistikat zyrtare raportojnë si “humbje teknike” afro 1 miliardë kWh dhe “humbje joteknike” afro 444 milionë kWh.

Humbjet teknike konsiderohen humbjet që shkaktohen nga vjetërsimi i aparaturave apo linjave të transmetimit dhe shpërndarjes dhe këto humbje kufizohen përmes remonteve apo zëvendësimeve të këtyre pajisjeve. Humbjet joteknike është eufemizëm për vjedhjet përmes lidhjeve të paligjshme në rrjet apo përmes manipulimit të matësve, të cilat luftohen përmes kontrolleve dhe ndëshkimeve.

Sa i përket treguesve të tjerë, viti 2023 rezultoi pozitiv në lidhje me reshjet dhe nivelin e prodhimit. Prodhimi total në vend ishte 8.8 miliardë kWh, ose 110% e konsumit. Prodhimi në hidrocentralet publike, të cilat gjenden në lumin Drin, ishte 5.1 miliardë kWh ndërsa prodhimi i sektorit privat të energjisë elektrike ishte në masën 3.6 miliardë kWh. Prodhimi me fotovoltaikë ishte në nivelin 89 milionë kWh, ose 1% e prodhimit total.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco