Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

Ndryshimet në urdhrin për strukturat akomoduese, si do pajisen me certifikatë kategorizimi

Ndryshimet në urdhrin për strukturat akomoduese, si do pajisen me certifikatë kategorizimi

11:00, 22/01/2024
A+ Aa A-

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka ndryshuar urdhrin që lidhet me mënyrën kriteret dhe procedurat e kategorizimit të strukturave akomoduese duke u ndalur në dokumentet që duhet të paraqesin subjektet në fazën e aplikimit, procedurën e shqyrtimit dhe formati i certifikatës.

Në nenin gjashtë të këtij urdhri Ministria ka paraqitur listën me dokumente të subjektit që nis me “certifikatën e përdorimit të ndërtimit lëshuar nga organi kompetent ose një nga dokumentet më poshtë: i .certifikata e pronësisë; ii. kartela e pasurisë; iii. kontrata e qirasë ose e përdorimit me pronarin e ndërtesës; b) Planimetria e strukturës akomoduese; c) Foto të ambienteve brenda dhe të jashtme të strukturës”.

Nga ana tjetër vetë Ministria e Turizmit dhe Mjedisit siguron nëpërmjet portalit e-Albania një pjesë tjetër të dokumentacionit ku së pari vërtetim për regjistrim në Qendrën Kombëtare të Biznesit si person fizik/juridik me objekt veprimtarie si strukturë akomoduese.

Së dyti vërtetim i gjendjes gjyqësore të subjektit aplikues/aksionarit kryesor; pronarit/administra-torit.

Së treti vërtetimi që struktura plotëson kushtet për masat e mbrojtjes nga zjarrilëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe së katërti vërtetim që struktura plotëson kushtet higjieno-sanitare, lëshuar nga Instituti i Shëndetit Publik.

Shqyrtimi i dokumentacionit

Ndryshimet në urdhrin e fundit të Ministrisë së Turizmit parashikojnë edhe ndërhyrje në nënin 7 që lidhet me procedurën e shqyrtimit të dokumentacionit të kategorizimit. Kështu sipas pikës 1 Komisioni i Standardizimit brenda 10 ditëve nga data e depozitimit të aplikimit për pajisje me certifikatë kategorizimi në portalin e-Albania, shqyrton dhe vlerëson aplikimin në përmbushjen e kritereve për kategorizimin e strukturave akomoduese. Komisioni i Standardizimit, në rast të konstatimit të mangësive, njofton brenda 2 ditëve nga data e shqyrtimit të aplikimit, aplikuesin për plotësimin e dokumentacionit.

Aplikuesi duhet të plotësojë dokumentacionin brenda 10 ditëve nga data e njoftimit për mangësitë e konstatuara. Në rast se Komisioni i Standardizimit gjatë shqyrtimit të aplikimit konstaton parregullsi apo lindin dyshime të arsyeshme për të dhënat e deklaruara, i kërkon inspektoratit përgjegjës të turizmit verifikimin në terren të të dhënave.

Komisioni i Standardizimit nëpërmjet sekretarisë teknike, njofton aplikuesin dhe koordinon vizitën në terren. Inspektorati përgjegjës i turizmit paraqet Komisionit të Standardizimit raportin e gjetjeve të konstatuara në terren, brenda 5 ditëve nga dita e vizitës në terren.

Afati i parashikuar në pikën 1 mund të shtyhet, në mënyrë të arsyetuar, por jo më shumë se 30 ditë, duke i dërguar aplikuesit njoftimin në sistemin e-Albania, jo më vonë se përfundimi i afatit i parashikuar në pikë 1 të këtij neni. Në përfundim të procesit të shqyrtimit dhe të vlerësimit, Komisioni i Standardizimit merr vendim për lëshimin ose jo të certifikatës së kategorizimit të strukturës akomoduese dhe e përcjell për miratim pranë ministrit.

Certifikata e kategorizimit të strukturës akomoduese

Në nenin 8 ndryshimet përcaktojnë formatin dhe atë që përmban certifikata e kategorizimit të strukturës akomoduese. Kështu së pari përshin emërtesën e strukturës akomoduese, së dyti adresën e strukturës akomoduese, së treti kategorinë. Së katërti datën e lëshimit të certifikatës së kategorizimit dhe në fund nënshkrimin e ministrit ose të personit të autorizuar prej tij.

Certifikata e kategorizimit gjenerohet online në sistemin e-Albania. Lloji i kategorisë së strukturës akomoduese, sipas certifikatës së kategorizimit, vendoset në hyrjen kryesore/fasadën e strukturës akomoduese. Certifikata e kategorizimit të strukturës akomoduese regjistrohet në Regjistrin Qendror të Turizmit, i administruar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit./MONITOR

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco