Normat tavan të interesit të kredisë konsumatore, në rënie të ndjeshme për 6-mujorin 2024

Normat tavan të interesit të kredisë konsumatore, në rënie të ndjeshme për 6-mujorin 2024

11:29, 10/01/2024
A+ Aa A-

Normat tavan të interesit për kreditë e vogla konsumatore kanë pësuar një rënie të ndjeshme për gjashtëmujorin e parë të këtij viti.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, norma efektive maksimale e interesit (NEI maksimal) për kreditë konsumatore në lekë, për shumat deri në 200 mijë lekë është ulur në 100%, nga 118.96% që kishte qenë deri në fund të vitit të kaluar. Norma efektive maksimale e interesit përfshin normën nominale të interesit, komisionet e aplikuara nga huadhënësi dhe të gjitha kostot e kredisë që i transferohen klientit.

Gjithmonë për shumat deri në 200 mijë lekë, NEI maksimal për overdraftet (paradhëniet) është ulur në 18.6%, nga 18.95% që kishte qenë në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar.

Për kartat e kreditit, NEI maksimal do të jetë 27.4%, nga 28.23% që kishte qenë për 6-mujorin e dytë të vitit të kaluar.

NEI maksimal për kreditë nga 200 mijë lekë deri në 600 mijë lekë ka pësuar gjithashtu një ulje të ndjeshme në 40.6%, nga 47.07% që kishte qenë deri në fund të vitit të kaluar.

Për ovedraftet në intervalin 200-600 mijë lekë, NEI maksimal është rritur në 17.55%, nga 17.15% që kishte qenë në 6-mujorin paraardhës.

Ndërsa për kreditë me vlerë nga 600 001 deri në 2 000 000 lekë NEI maksimal është ulur ndjeshëm në 15.6%, nga 17.27% që kishte qenë deri në fund të vitit 2023.

Sipas ndryshimeve të përkohshme rregullatore që u miratuan në mars të vitit të kaluar, përditësimi i normës maksimale efektive të interesit për kreditë deri në 200 mijë lekë dhe për ato nga 200 mijë deri në 600 mijë lekë u pezullua deri në fund të vitit 2023. Pezullimi i përkohshëm i NEI-t maksimal në këto fasha ishte kërkesë këmbëngulëse e institucioneve të mikrofinancës në vend, duke qenë se rritja e normave të interesit vitin e kaluar rriti koston e sigurimit të fondeve për institucionet mikrofinanciare.

Megjithatë, me përfundimin e afatit të “ngrirjes” së NEI-t maksimal, në fillim të këtij viti ky tregues ka pësuar një rënie të ndjeshme për shumicën e produkteve dhe fashave sasiore të kredisë konsumatore.

Aplikimi i një norme tavan interesi për kreditë konsumatore në Shqipëri nisi në fillim të vitit të vitit 2022. Sipas Bankës së Shqipërisë, arsyeja kryesore ishte mbrojtja e konsumatorit nga normat potencialisht abuzive të interesit, të aplikuara kryesisht nga disa institucione financiare jobanka. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, normat efektive të interesit para hyrjes në fuqi të rregullores arrinin deri në 256% për kreditë në shuma të vogla dhe afate minimale maturimi.

Sipas rregullores “Për kredinë konsumatore dhe hipotekare”, NEI maksimal llogaritet nga Banka e Shqipërisë me bazë gjashtëmujore, mbështetur në të dhënat e Regjistrit të Kredive të administruar prej saj. Nivelet e NEI-t maksimal publikohen në fillim të çdo 6-mujori dhe bazohen në kreditë e disbursuara në gjashtëmujorin paraardhës.

Ky tregues ndërtohet si mesatare e normës efektive të interesit për secilin produkt dhe interval, e shtuar me një të tretën. NEI maksimal është i detyrueshëm për t’u respektuar nga të gjitha bankat dhe institucionet financiare të licencuara për aktivitet të huadhënies në Shqipëri. /MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco