'Gështenja e Tropojës' bëhet projekt pilot i FAO-s për rritjen e zinxhirit të vlerës

'Gështenja e Tropojës' bëhet projekt pilot i FAO-s për rritjen e zinxhirit të vlerës

16:10, 25/12/2023
A+ Aa A-

Gështenjat e Tropojës tashmë janë të certifikuara me standardet e larta të cilësisë dhe një produkt unik që rritet në gjendje të egër dhe me një potencial të lartë për të rritur fitimet për banorët e zonës.

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), në një projekt pilot po synon të vendosë zinxhirë të qëndrueshëm të vlerës së gështenjës në rajonin e Tropojës Veriore.

Sipas FAO-s, projekti parashikon zbatimin e masave për kontrollin biologjik të dëmtuesve dhe njeh rëndësinë e ndërhyrjeve të mirëplanifikuara dhe afatgjata në zona të përzgjedhura.

Nisma e FAO-s “Një vend, një produkt prioritar” fokusohet kryesisht në zonat malore të rrethit verior të Tropojës në Shqipëri, i cili ka mbi 2000 hektarë masiv pyjor gështenjash. Përafërsisht 70 për qind e banorëve të tij jetojnë në zona malore, ku është i përqendruar masivi.

Projekti “Zhvillimi i qëndrueshëm i zinxhirit të vlerës së gështenjës” do të zgjasë nga viti 2023 deri në vitin 2025. Nisma synon rigjallërimin e zinxhirit të vlerës së gështenjës, duke përfshirë prodhimin, përpunimin dhe tregtimin e gështenjës, me fokus në zgjerimin e sipërfaqeve të kultivuara dhe pozicionimin e produkteve të gështenjës në tregun rajonal, sqaron më tej FAO.

Tashmë po bëhen përpjekje për të rritur konsumin e brendshëm të gështenjave. Janë organizuar festivale lokale të gështenjës dhe aktivitete kulturore për të promovuar produktet vendase të gështenjës.

FAO synon të mbështesë prodhimin e gështenjës duke nisur që nga mbrojtja ndaj insektit "Grerëza e tëmthit të Gështenjës aziatike”.

Gështenjat kanë një rol jetik ekologjik, me funksione kyçe hidrologjike, klimatike dhe mbrojtëse, që nënvizon rëndësinë e tyre si për të siguruar ekosisteme të shëndetshme ashtu edhe për zhvillimin e komuniteteve rurale.

Për më tepër, aspektet ekonomike dhe mjekësore të gështenjave, duke përfshirë prodhimin e frutave, drurit, miellit dhe mjaltit kontribuojnë në mënyrë të konsiderueshme në forcimin e ekonomisë rurale të vendit.

Aktualisht sa i përket këtij fruti janë ngritur struktura të magazinimit në Tropojë dhe prej vitesh janë funksionale kanalet eksportit me Italinë, mirëpo ende nuk gjen përpunim në vend.

Tani me rritjen e turistëve përpunimi i gështenjës do të mund të rriste më të tej të ardhurat nga ky produkt./ Revista Monitor 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco