Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha

Mungesa e profesionistëve dhe kërkesat për ... kamarierë /.

Mungesa e profesionistëve dhe kërkesat për ... kamarierë

07:38, 13/11/2023
A+ Aa A-

Industritë që po kërkojnë më shumë punonjës. Profesionistët braktisin Tiranën, forca e re punëtore me të ardhurit, e paqëndrueshme

Industritë HoReCa, shërbimet e teknologjisë së informacionit dhe call center kanë numrin më të lartë të hapjeve të vendeve të reja të punës në muajt janar-shtator 2023, sipas të dhënave nga publikimi i njoftimeve për punësim në portalin “Çelësi”. Oferta për punësime e 9-mujorit u rrit me 35% krahasuar me vjet. Pas largimit të profesionistëve, në kryeqytet po krijohet një forcë e re punëtore me të ardhurit nga rrethet, por mbetet e paqëndrueshme, edhe pas kualifikimeve që u bëjnë bizneset. Punonjësit e mbetur po kërkojnë paga më të larta, kushte më të mira pune dhe mundësinë e të punuarit në distancë. Ndërsa kompanitë kanë ulur kërkesën e kritereve të përzgjedhjeve

Emigracioni, jo vetëm vijon të shkaktojë mungesën e punonjësve, por edhe të krijojë “përçarje” mes forcës së mbetur punëtore. Punonjësit e kualifikuar, sipas agjencive të rekrutimit dhe ekspertëve të tregut të punës, po largohen në emigracion.

Në vend po krijohet një forcë e re punëtore me të ardhurit nga rrethet dhe zonat rurale, që sërish mbetet e paqëndrueshme, sepse pas kualifikimit, ata largohen në emigracion.

Të tjerë punonjës të mbetur po “riorganizohen”, kryesisht në sektorin e bareve dhe restoranteve, të cilët po lënë punën e tyre dhe po ripunësohen gjetkë për paga më të larta.

Në vitin 2022, sipas të dhënave të databazës së portalit “Çelësi” dhe agjencisë së rekrutimit “Profesionisti” u bënë 45,670 njoftime punësimi nga bizneset. Krahasuar me 2021, numri i tyre u rrit me 14%. Kjo pasohet nga 53,348 njoftime për punësim në periudhën janar-shtator 2023.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022, numri i njoftimeve për punësim u rrit me 35%. Për këtë periudhë, njoftimet për punësim u dominuan nga sektori HoReCa (Hotele-Restorante-Catering), call center dhe ai i teknologjisë së informacionit.

Ndërsa në vitin 2022 pati më shumë oferta pune nga baret, restorantet, furrat e bukës dhe bizneset e teknologjisë së informacionit. Rezultatet e indeksit janë mundësuar nga portali i njoftimeve “Çelësi”, që operon prej 25 vitesh, ku mesatarisht çdo javë mbi 450 kompani publikojnë mesatarisht 1,200 pozicione pune.

Indrit Puteci, zv.CEO i “Çelësi Media Group”, njëkohësisht dhe ekspert i tregut të punës, tha për “Monitor” se rritja e kërkesës për punësim nga bizneset tregon nevojën për fuqi punëtore, jo vetëm nga hapja e vendeve të reja të punës, që mund të vijë nga paqëndrueshmëria e stafit që largohet drejt kompanive të tjera, por edhe nga largimet në emigracion.

“Rritja e nevojës për fuqi punëtore nuk vjen vetëm nga hapja e vendeve të reja të punës, por edhe nga paqëndrueshmëria e punëmarrësve në marrëdhëniet e punës, duke e vështirësuar shumë situatën e punëdhënësve, që janë në kushtet, deri në pamundësi për të plotësuar edhe vendet e domosdoshme të punës në kompanitë e tyre. Lëvizjet demografike dhe emigracioni janë faktorët kryesorë në krijimin e paqëndrueshmërisë së fuqisë punëtore deri në masë kritike”.

Megjithatë, pavarësisht numrit të lartë të njoftimeve për punësim, të gjitha bizneset po luftojnë për të mbajtur punëtorët, për shkak të paqëndrueshmërisë që po shkakton emigracioni.

“Mungesa e fuqisë punëtore, në rastin e Shqipërisë, është ndikuar shumë nga lëvizjet demografike e sidomos emigracioni, si dhe plakja e popullsisë në vite.

Një pjesë e mirë e fuqisë sonë punëtore të kualifikuar ka emigruar. Ndërkohë, ‘rifreskimi’ i fuqisë punëtore nga banorët e ardhur nga zona të tjera të vendit për të banuar e për të punuar në Tiranë, sidomos të atyre që vijnë nga zonat rurale, nuk garanton zëvendësimin e fuqisë punëtore të kualifikuar të larguar nga Shqipëria, me një fuqi punëtore të kualifikuar nga ana profesionale, pasi kryesisht këto profesione nuk kanë mundur t’i ushtrojnë në zonat nga vijnë.

Fuqisë së re punëtore i duhet kohë të kualifikohet, sipas nivelit që kërkon tregu. Sot, shumë kompani në treg ‘vuajnë’ për fuqi punëtore dhe shprehin shqetësimin e paqëndrueshmërisë së punëmarrësve, të cilët u marrin kompanive të paktën 3 deri në 6 muaj kohë derisa t’i kualifikojnë e më pas ata i drejtohen kryesisht tregut të huaj, duke i lënë përsëri të lira pozicionet e punës”.

Oferta e vitit 2022 për punësime nëpërmjet njoftimeve (sipas drejtuesve të indeksit “Keydata” nëpërmjet publikimit të një njoftimi, biznesi mund të rekrutojë më shumë se një punonjës) po u afrohet niveleve të larta të të larguarve në emigracion.

Sipas Eurostat, në 2022, rreth 74 mijë shtetas shqiptarë (73,858) morën leje qëndrimi në një nga vendet e BE-së. Në krahasim me një vit më parë, numri i lejeve është rritur me 34%. Ndërkohë, kjo është shifra më e lartë e konstatuar që nga viti 2010, duke treguar qartë një tendencë të rritjes së numrit të personave që lënë vendin me synimin për të jetuar dhe për të punuar në një nga shtetet e Bashkimit Europian.

Baret, restorantet, call center dhe teknologjia e informacionit po luftojnë për të gjetur punonjës

Bazuar te të dhënat e indeksit për tregun e punës, në grupin e parë, kategoritë e bizneseve që mbizotërojnë për publikim njoftimesh për punë në muajt janar-shtator 2023 janë HoReCa (Hotele-Restorante dhe Katering), call center dhe të teknologjisë së informacionit.

Numri i njoftimeve për punësim nga sektori HoReCa në muajt janar-shtator u rrit 1,4 herë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Oferta më e madhe gjatë kësaj periudhe erdhi edhe nga zonat bregdetare për shkak të turizmit.

“Pjesa dërrmuese e njoftimeve vijnë nga biznese që operojnë në Bashkinë e Tiranës e qendra të rëndësishme pranë saj. Ndërsa gjatë stinës së pranverës e më pas gjatë asaj të verës, deri në fillimet e vjeshtës, vendndodhja e ofertave të punës zhvendoset ndjeshëm në zonat turistike, sidomos të bregdetit.

Gjatë kësaj periudhe të vitit, siç edhe është e pritshme, rriten e mbizotërojnë ofertat e punës nga sektori HoReCa deri në masën që bëhet e pamundur të plotësohen nga fuqia punëtore që banon në këto zona, duke sjellë transferimin e përkohshëm të fuqisë punëtore nga Tirana apo qytete të tjera drejt këtyre zonave.

Kjo dukuri është përforcuar sidomos gjatë dy viteve të fundit. Për ta lehtësuar këtë proces dhe për të rritur mundësinë e zgjedhjes së fuqisë punëtore më të kualifikuar, operatorët turistikë ofrojnë akomodim, ushqim, etj., për fuqinë e tyre punëtore, që transferohet tek ata nga Tirana apo zona të tjera relativisht larg nga zona ku ushtrojnë aktivitetin e biznesit”, thekson z. Puteci.

Sektori i Bareve dhe Restoranteve rezultoi ndër më të prekurit nga mungesa e fuqisë punëtore, referuar të dhënave të indeksit për njoftimet e punës edhe për vitin 2022. Vitin e kaluar, numri i njoftimeve për punësim nga baret dhe restorante ishte 45,670. Krahasuar me 2021, numri i tyre u rrit me 14%. Kjo industri ka pasur numrin më të lartë të vendeve të lira, pas sektorit fason, për shkak të emigracionit.

Baret dhe Restorantet, sipas përfaqësuesit të Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, Enri Jahja, edhe gjatë sezonit turistik operuan me mungesë prej 15,000 vendesh të lira pune. Z. Jahja pohon se këto struktura vijojnë të vuajnë mungesën e fuqisë punëtore që nga profesioni i punonjësit sanitar deri në nivel drejtues. “Në sektorin e bareve dhe restoranteve kanë mbetur vetëm punonjësit që kanë punë solide, familje dhe që nuk njohin asnjë gjuhë të huaj”.

Z. Jahja shton se bizneset e bareve dhe restoranteve kanë nisur të “riorganizohen” duke u marrë punonjës njëri-tjetrit. Bizneset që ofrojnë paga më të ulëta e kanë më të vështirë mbajtjen e punëtorëve.

Për zgjidhjen e krizës së fuqisë punëtore, ai shton se ka ardhur koha që në tërësi, sektori duhet të ndryshojnë sjellje ndaj punonjësve si për oraret e punës, ofrimin e ushqimit ndaj personelit, si dhe të rishikojnë sërish pagat. “Puna jashtë orarit duhet të paguhet.

Bizneset duhet të rishikojnë edhe pagat e punonjësve, pasi duke rritur pagat nuk është e nevojshme më të mbahen dy punonjës për të bërë një punë. Ndërsa për sa i përket ushqimit për personelin është një çështje që nuk diskutohet më në të gjithë botën, kurse te ne disa e japin, të tjerë e konsiderojnë luks”, nënvizon z. Jahja.

Deri në vitin 2019, sipas të dhënave të INSTAT, ishin të punësuar në bare dhe restorante rreth 45,000 persona, ku megjithatë vlerësohet se informaliteti në sektor është i lartë. Në vend janë gjithsej 15,5 mijë bare, nga 22 mijë në vitin 2015, duke qenë aktiviteti i dytë më i përhapur në vend, pas biznesit të pakicës.

Rritje të lartë të ofertës për punësim pati edhe nga bizneset e teknologjisë së informacionit. Numri i njoftimeve për punësim në portalin “Çelësi” në muajt janar-shtator u rrit 100% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ofertat e punës për pozicione pune të kësaj fushe janë rritur, pasi shumë kompani që kryejnë shërbime ndaj të tretëve, duke qenë se këto pozicione pune mundësojnë dhe lehtësojnë punën në distancë po punësojnë studentë, sipas zv.Ceo të “Çelësi Group”, Indrit Puteci.

“Tregu i punës në Shqipëri ofron kandidatë të mirëkualifikuar për fushën TIK, pasi institucionet arsimore që ofrojnë këtë formim janë rritur vitet e fundit dhe po ashtu, shumë të rinj janë aftësuar përmes nismës së tyre duke studiuar dhe duke u kualifikuar nga mundësitë e shumta që ofrohen nga interneti dhe programe të profilizuara për profesione shumë të kërkuara në këtë fushë”, veçon ai.

Ndërsa kompanitë e sektorit call center kryesojë në grupin e parë të punëdhënësve me 3,772 njoftime për punësim për janar-shtator 2023. Krahasuar me vjet, numri i tyre u rrit 27%.

Anasjelltas, në industrinë e sektorit fason, pavarësisht se renditet e para në grupin e dytë të bizneseve që kërkuan më shumë punonjës nëpërmjet njoftimeve për punësim, kanë nisur shkurtimet e vendeve të punës për shkak të vështirësive financiare të shkaktuara nga rënia e euros dhe ulja e porosive për prodhimin e këpucëve, veshjeve fashion dhe intimo.

Sipas kryetarit të Shoqatës së ProEksport Albania, Edvin Prençe, shkurtimet e vendeve të punës në sektorin fason llogariten nga 30 deri në 50 punonjës në ditë. Zonat më të prekura janë Kruja, Fushë-Kruja, Laçi, Lezha e Shkodra. Edvin Prençe tha se, në tërësi, sektori nuk është më në vështirësi për gjetjen e punonjësve, por po përballet me pamundësi financiare për mbajtjen e tyre nga rritja e kostove.

Fasonët pasohen nga sektori i ndërtimit të përfshirë në grupin e dytë që dominojnë për kërkesën për gjetje punonjësish nëpërmjet njoftimeve të publikuara te “Çelësi”. Pavarësisht se sektori i ndërtimit nuk ka një tepricë të fuqisë punëtore, ka shumë kërkesë për punëtorë vendas nga kompanitë e huaja.

25% e kërkesave për rekrutim në ndërtim, përfshirë edhe sektorin e logjistikës (për profesionet, si: magazinier, teknikë apo shofer) nëpërmjet agjencisë së rekrutimit “Profesionisti”, sipas Indrit Putecit u përkasin kompanive të huaja.

Ndërsa shumë kompani ndërtimi vendase po kërkojnë punonjës në Turqi, sipas Erjon Harizit, kryetar i Bordit të Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, pas dështimit të nismës për marrjen e punonjësve nga India dhe Bangladeshi.

Në grupin e dytë përfshihen edhe kopshtet dhe shkollat që kërkojnë të punësojnë staf dhe biznese të sektorit të mjekësisë.

Në grupin tretë përfshihen marketet, mobilieritë, shërbimet delivery dhe butikët.

Puna në distancë ka ndryshuar lojën për sektorin call center dhe teknologjinë e informacionit

Pozicionet remote për kategorinë e teknologjisë së informacionit, profesionet e sektorit dixhital (duke përfshirë programues dhe punonjës të shërbimeve dixhitale) dhe në sektorin call center ndikuan në rritjen e ofertës për punësim, sipas të dhënave të indeksit.

“Që nga periudha e pandemisë e në vijim është shfaqur ndjeshëm tendenca e punës në distancë, veçanërisht për pozicione pune në sektorin e teknologjisë së informacionit, e më specifikisht programues dhe specialistë të shërbimeve dixhitale.

Kjo tendencë është nxitur edhe nga rritja e madhe e numrit të ofertave të punës për pozicione në sektorin e TIK, që në një masë dominon sot ofertat e punës”, pohon zv.Ceo i “Çelësi Group”, Indrit Puteci.

Si kanë ndryshuar sjelljet në tregun e punës

Për të kuptuar më tej ndryshimet në fuqinë punëtore është interesante të shikohen edhe kërkesat që kanë kompanitë për punonjësit, dhe kandidatët për t’u punësuar për kompanitë.

Për shembull, për një vend sipas z. Puteci, nëse kompanitë duhet të përzgjidhnin disa kandidatë, sot janë kandidatët që duhet të përzgjedhin disa kompani për një vend pune. Ai thotë se shumë kompani, duke qenë se mbi të gjitha kërkojnë staf të qëndrueshëm, kanë nisur të jenë elastike ndaj zbatimit të orareve të punës, madje duke ofruar kontrata pune për punë në distancë.

Shqetësim për bizneset mbeten investimet për kualifikimin e stafit të ri dhe atij ekzistues. Për shkak të paqëndrueshmërisë së punonjësve janë të shumta kompanitë që po hezitojnë të investojnë për kualifikimin e stafeve.

“Karakteristikë e kërkesave të kandidatëve, që shprehen gjatë intervistave apo komunikimeve që kemi pasur me kompanitë, është se po kërkohet respektimi i Kodit të Punës, duke përfshirë pagën, pushimin në fundjavë dhe për festat zyrtare. Kërkohen kushte më të mira pune (referuar kushteve fizike dhe teknologjike).

Një kërkesë kryesore e tyre është mundësia për punë në distancë, për të punuar jashtë zyrës dhe me orare fleksibël”./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco