Nga shteti nuk presim lëmoshë dhe propagandë, por që të bëjë punën e tij

Nga shteti nuk presim lëmoshë dhe propagandë, por që të bëjë punën e tij

11:19, 16/09/2023
A+ Aa A-

EDITORIAL MONITOR

Të enjten, një pallat 10-katësh në Tiranë u përfshi nga flakët. Për fat të mirë, zjarri nuk shkaktoi dëme në njerëz, por dëmet materiale në disa apartamente dhe në mjedise të përbashkëta ishin të mëdha.

Ngjarja ngre shqetësime lidhur me respektimin e standardeve të sigurisë në ndërtim dhe në zhvillimin urban.

Menjëherë pas ngjarjes, kryetari i Bashkisë së Tiranës reagoi duke premtuar grante dhe mbështetje për banorët e dëmtuar. Familjet e dëmtuara nga fatkeqësitë e këtij lloji mund të kenë nevojë edhe për mbështetje dhe solidaritet, por detyra e institucioneve publike është garantimi i standardeve të sigurisë në ndërtim dhe në zhvillimin urban.

Nuk është më lajm ta thuash sot, por urbanizimi në dekadat e fundit në Tiranë dhe jo vetëm, është bërë jashtë të gjitha standardeve për një jetesë optimale.

Distancat mes ndërtimeve janë shumë të vogla, shpeshherë deri në absurd, rrugët janë të ngushta dhe zakonisht të bllokuara pjesërisht apo plotësisht nga mjetet që parkojnë, aq sa qoftë edhe kalimi i mjeteve zjarrfikëse në raste emergjencash është një sfidë më vete.

Hapësirat e mirëfillta publike, si lulishte, mjediset çlodhëse apo rekreative janë tashmë një luks. Edhe ato pak trotuare apo hapësira të lira që kanë ngelur, janë zaptuar nga kafenetë dhe bizneset e tjera.

Standardet e ndërtimit dhe materialet që përdoren janë problem tjetër. Megjithëse çmimet e pronave në vitet e fundit janë rritur me ritme shumë të shpejta, qytetarët kanë pak garanci për cilësinë e pronave që blejnë.

Cilësia dhe standardi i ndërtimit duket se i besohet vetëm ndërgjegjes së ndërtuesve.

Me aq sa dimë, sot nuk ka një protokoll që mbikëqyr apo teston qoftë edhe cilësinë e betonit dhe çelikut që mban në këmbë kullat shumëkatëshe, pa folur më tej për materialet e tjera ndihmëse apo rifiniturat.

Nga vlerësimet e para, duket se përhapja e zjarrit u favorizua nga materialet e përdorura për izolimin termik të pallatit. Banorët duket se dëshmuan edhe probleme me rrjetin elektrik dhe luhatje të tensionit të energjisë elektrike.

Megjithëse nuk ka ende një rezultat të ekspertizës, dyshohet se shkak i zjarrit mund të ketë qenë pikërisht një shkëndijë elektrike.

Masat e mbrojtjes kundër zjarrit janë gjithashtu çështje që duket se është neglizhuar. Përveç sistemeve për fikjen e zjarrit, një masë elementare duhet të jetë vendosja e sensorëve që sinjalizojnë në kohë ekzistencën e një vatre zjarri, minimalisht në mjediset e përbashkëta të pallateve.

Por, pajisje të tilla nuk ekzistojnë pothuajse askund. Vetë administrimi i bashkëpronësisë dhe ambienteve të përbashkëta ngelet një rrëmujë e pazgjidhur.

Megjithëse është ngritur prej vitesh një kuadër ligjor dhe struktura të posaçme pranë Bashkive, shumë pallate në Tiranë nuk kanë administratorë dhe organe të tjera të administrimit të bashkëpronësisë.

Edhe në pallatet ku ka administratorë, në shumë raste ata janë njerëz të vetëshpallur të tillë dhe të pacertifikuar sipas kërkesave ligjore.

Banorët e qyteteve presin që Bashkitë të kryejnë detyrat e tyre ligjore dhe të merren me të gjitha problemet e mësipërme, para se të nxitojnë për të ofruar lëmoshë për të dëmtuarit.

Më tej, ngjarje të tilla nxjerrin, edhe një herë në pah, një anomali tjetër: mungesën e përgjegjësisë për të siguruar pronën nga fatkeqësitë.

Sot, pothuajse të gjitha banesat e siguruara janë të lëna si kolateral për kreditë bankare. Pjesa tjetër janë pothuajse totalisht të pambrojtura ndaj rrezikut të dëmtimeve në pronë.

Në një vend normal, nuk është detyrë e shtetit dhe e taksapaguesve për të zhdëmtuar personat e prekur nga zjarri apo nga fatkeqësitë e tjera natyrore.

Është përgjegjësi e çdo familjeje të sigurojë pronën e saj ndaj fatkeqësive të tilla. Në fund të fundit, për një familje që blen një pronë me 1500-2000 euro/m² nuk është një kosto e papërballueshme të paguajë një sigurim prone, që mund të kushtojë 100 euro në vit.

Por, siç vërejnë shpesh siguruesit, kjo praktikë “lëmoshe” me paratë e taksapaguesve nuk e lejon krijimin e një kulture të sigurimit vullnetar në Shqipëri.

Drejtuesit e institucioneve, përpara se të vrapojnë të bëjnë propagandë me paratë e taksapaguesve, duhet të zbatojnë ligjet dhe kërkesat për sigurinë e ndërtimeve, në mënyrë që të mos krijohen premisa për tragjedi në të ardhmen.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco