Sa janë borxhet e bashkive për frymë? – Pusteci shënon 'rekord', Korça vetëm 4 lekë për banor

Sa janë borxhet e bashkive për frymë? – Pusteci shënon 'rekord', Korça vetëm 4 lekë për banor

13:28, 01/07/2023
A+ Aa A-

61 bashkitë në vend e mbyllën vitin që lamë pas me një stok detyrimesh të prapambetura në vlerën e  5.9 miliardë lekë. Në raport ndaj PBB-së, detyrimet e prapambetura u regjistruan një nivel prej rreth 0.28% (nga një nivel prej rreth 0.34% një vit më parë).

Referuar raportit të financave vendore për vitin 2022, mesatarisht, detyrimet e prapambetura të bashkive rëndojnë qytetarët për rreth 2,094 lekë për frymë në fund të vitit 2022, nga rreth 2,316 lekë për frymë që ishte në fund të vitit 2021 Në nivel bashkie, detyrimet e prapambetura për frymë shënojnë vlerën maksimale në bashkinë Pustec me rreth 44,602 lekë për banor dhe nivelin minimal prej rreth 4 lekë për frymë në bashkitë Shkodër dhe Korçë. Ndërsa bashkitë Patos dhe Këlcyrë rezultojnë të mos kenë detyrime të prapambetura në fund të vitit 2022.

Ulja e detyrimeve të prapambetura dhe që do të duhet të shlyhen në periudhën afatmesme, rezulton të ketë ndodhur në 72% të bashkive (ose 44/61 bashki) dhe të jetë veçanërisht e ndjeshme në bashkitë: Malësi e Madhe, Durrës, Lezhë, Belsh, Berat, Roskovec, Vorë, etj.

Në të kundërt, rreth 25% e bashkive (ose rreth 15/61 bashki) rezultojnë të kenë kontribuar në kahun rritës të stokut të detyrimeve të prapambetura në fund të vitit 2022 krahasuar me nivelin e tij në fund të vitit 2021. Rritje e qenësishme e detyrimeve të prapambetura vihet re në bashkitë Tiranë (+527 milionë lekë), Dibër (+252 milionë lekë), Pustec (+146 milionë lekë) dhe Devoll (+64 milionë lekë)./Elisabeta Dosku /SCAN

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco