Bizneset kanë ulur, në mënyrë drastike, kostot e trajtimit profesional për punonjësit nga 2016-2020

Bizneset kanë ulur, në mënyrë drastike, kostot e trajtimit profesional për punonjësit nga 2016-2020

11:10, 11/10/2022
A+ Aa A-

Bizneset në vend dhe në të gjithë sektorët, vitet e fundit po vuajnë mungesën e fuqisë punëtore, për të gjitha llojet e aftësive, por në sfond të kësaj problematike bizneset në Shqipëri ende vuajnë nga mungesa e parimeve për të mirëmbajtur burimet njerëzore dhe për rritjen e tyre profesionale.

Një anketë e INSTAT mbi “Kostot e Punës” gjeti në se në vitin 2020, pothuajse të gjitha aktivitetet ekonomike në vend kishin ulur në mënyrë drastike fondet për trajtimin profesional të punonjësve.

Kostot për trajnimin profesional u ulën në vitin 2020 në raport me vitin 2016 nga 19-90% në varësi të aktiviteteve ekonomike.

P.sh., në vitin 2016, kostot vjetore të trajnimit profesional për punonjës arrinin nga mbi 3 mijë lekë në vit për aktivitetet e industrisë dhe shërbimeve deri në 7 mijë lekë në vit për aktivitetet financiare dhe sigurimit, ndërsa në vitin 2020 kostot e trajtimit profesional për punonjës variojnë minimumi 691 lekë për arsimin e shëndetësinë në maksimumi 1,800 lekë për tregtinë dhe transportin.

Shpenzimet që bizneset shqiptare paguajnë për rritjen profesionale të punonjësve janë të ulëta dhe për tepër po vijnë në ulje, në një moment që emigracioni i lartë dhe rënia e lindshmërisë po shterojnë më shpejtësi forcën e punës.

Anketa e INSTAT referoi se, në vitin 2020 kostot vjetore më të larta për trajnimin e punonjësve i kishin biznesit në fushën e tregtisë, transportit dhe akomodimit me 1801 lekë në vit, nga 4048 lekë që ishin në vitin 2016 me ulje 55 për qind.

Por rënia më e madhe e shpenzimeve për trajnim ishte për punonjësit në aktivitetet financiare dhe të sigurimit. Në vitin 2020, kosto vjetore e trajnimit të një punonjësi në këto biznese ishte vetëm 734 lekë nga 7290 lekë që ishin në vitin 2016, me rënie 90%.

Burimet njerëzore dhe aftësitë e tyre janë kthyer në problemin kryesor i bizneseve në vend. Një dekadë më parë burimet njerëzore ishin çështja më pak shqetësuese për ta.

Vendi ynë doli nga ekonomia e centralizuar e regjimit komunist me një popullsi të re në moshë dhe të mirë-arsimuar. Mirëpo tranzicioni për në ekonominë e tregut u shoqërua me largime masive nga vendi, teksa numri i lindjeve pësoi një rënie të shpejtë, nga më shumë se tre lindje për grua në vitet 1990, treguesi ra në 1,3 në fund të 2021.

Modeli ekonomik që ka ndjekur Shqipëria gjithë këto vite nuk ka mundur të prodhojë punë me vlerë të lartë. E bazuar kryesisht në krahun e lirë të punës dhe në koston e ulët të saj, modeli ekonomik ende vijon të jetë i paorientuar në sektorë inovativ dhe më vlerë të lartë siç po përpiqet Rajoni ku bëjmë pjesë.

Diferencat në paga dhe në nivelin ekonomik vijojnë të shkaktojnë largime masive nga vendi, kryesisht të popullsisë së re në moshë./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco