VIDEO/ Rritja e çmimeve të karburanteve, Buxhuku: Treg kartel, të ngremë Ent Rregullator që ta kontrollojë

VIDEO/ Rritja e çmimeve të karburanteve, Buxhuku: Treg kartel, të ngremë Ent Rregullator që ta kontrollojë

13:11, 01/11/2021
A+ Aa A-

“Ju e shikoni, rritja e çmimit të karburanteve në bursat ndërkombëtare pasqyrohet menjëherë në Shqipëri, ndërkohë, ulja e çmimit në bursat ndërkombëtare pasqyrohet me një vonesë të jashtëzakonshme ose shumë lehtë, shumë dobët”.

Qeveria Rama ka vendosur rritjen e çmimit të gazit të lëngshëm me 6 lekë për liter si për qytetarët, edhe për bizneset, ashtu dhe për industritë duke filluar nga janari. Por Gjergj Buxhuku, kreu i Konfederatës së Industrive të Shqipërisë (Konfindustria) gjykon se vendimet nuk merren nga të zgjedhurit e popullit, por nga grupe kartelesh, oligopolesh, të cilët i kanë futur duart në fyt ekonomisë shqiptare, biznesit, qytetarit.

Buxhuku, duke analizuar situatën, shpreh bindjen e plotë se tregu shqiptar i karburanteve është pa konkurencë, i mbyllur, treg kartel, oligopol, monopol ndaj Konfindustria e sheh të domosdoshme, ngritjen e një enti rregullator për karburantet për të stabilizuar situatën në Shqipërinë “kampione absolute në botë” për rritjen dramatike të çmimit të karburanteve.

Në studion e Kafe Shqeto në SYRI TV sot, Administratori i Përgjithshëm i Konfidustrisë, Gjergj Buxhuku, kritikoi ashpër vendimet e qeverisë dhe, por sugjeroi edhe zgjidhjet për të lehtësuar barrën mbi qytetarët dhe biznesin  

“Ne duhet të kuptojmë që gjendja ekonomike është realisht e vështirë, - tha Buxhuku. -  Unë po dëgjoja edhe shqetësimet e biznesit të vogël për fiskalizimin dhe dëshiroj që të them që të shikojmë rrënjët. Nuk është çështja tek fiskalizimi si kosto; problematika është që gjendja ekonomike e vendit është e vështirë dhe kjo ndihet tek konsumatorët, bizneset e vogla, të mesme dhe bizneset e mëdha. Ky është shkaku kryesor, nuk është tek kostot e fiskalizimit. Ato ndihen se janë shumë të mëdha pikërisht se gjendja është e vështirë, kurse në kushte normale besoj se nuk do të ishte problem.

Shkaku dihet se kush është. Nga njëra në janë elementë të tillë shumë shqetësues për një ekonomi tregu, është vendosja e sistemit kartel, oligopol dhe monopol në sektorët strategjikë të ekonomisë. Unë mendoj se është sëmundja kanceroze e vërtetë e ekonomisë shqiptare dhe këtu është dështimi total i politikave ekonomike që ka ndjekur vendimmarrja politike në 30 vite.

Sot jemi në një gjendje ku ekonomia shqiptare ka ndaluar, është në proces ndalimi me duart lart dhe në fakt jemi të kapur nga vendime politike që në fakt nuk merren nga të zgjedhurit e popullit, por thjesht merren nga grupe kartelesh oligopolesh të cilat i kanë futur duart në fyt ekonomisë shqiptare, biznesit shqiptar, qytetarit shqiptar. Ky është thelbi.

Tani, dalim tek paketa fiskale e vitit 2022. U mor si shembull fakti që u vendos fasha e njëjtë për të gjithë konsumatorët për gazin e lëngshëm 6 lek/litër.

Shikoni se çfarë absurditeti është: është fakt që ne sot jemi në një krizë energjitike e cila po ndihet ashpër tek ne, nuk është se do të pritet 31 janari, se kriza energjitike në radhë të parë është krizë e sektorit të karburanteve.

Qetetari shqiptar e kanë ndjerë në xhep, bizneset shqiptare e kanë ndjerë me kohë rritjen dramatike të rritjes së çmimit të karburanteve. Rritja dramatike e çmimit të karburanteve në Shqipëri, duke na bërë ne kampionë absolutë në shkallë botërore, shoqërohet me një cilësi tërësisht jashtë standartit të karburanteve që e bën me herë më të shtrenjtë koston e karburanteve.

Kini parasysh që kostoja e karburanteve pastaj është bazë dhe futet si element kostoje tek çfarëdolloj produkti dhe shërbimi që ne prodhojmë. Kudo. Ndihet tek çmimi i bukës, tek mielli, tek produktet e shportës, tek frenimi i investimeve në ekonominë shqiptare, kudo, pra është një e keqe shumë e madhe. Për çudi në këtë valë krize energjitike, le ta quajmë, që ka filluar dhe pritet të shtohet në janar të vitit 2022, në vend që të ulen taksat, këtu rriten praktishtt çmimet për gazin e lëngshëm me 6 lekë për litër për konsumatorët qytetarë, edhe për bizneset, edhe për industritë.

Hiqen rimbursimet për industritë dhe përdoret si argument fjala se na ka thënë FMN që “duhen njesuar taksimet se kemi evazion fiskal”... Po mirë, shumë bukur!  Meqënëse FMN paska thënë se kërkojmë njesim për efekt evazioni fiskal, atëherë bëjeni zero dhe kjo është më e arsyeshmja - akcizën e gazit të lëngshëm, po e marrim si shembull. Prandaj që në këtë moment unë them se ne nuk kemi politika ekonomike.

Politikat ekonomike tonat janë politika të mbrapshta. Ose janë joprofesionistë, ose nuk duan. Janë të dyja bashkë dhe këto duken qartë në të tilla vendime që ngrenë shumë pak në Buxhetin e Shtetit, por dëmtojnë rëndë qytetarin, biznesin dhe ekonominë kombëtare në tërësi.

Dori: Z. Buxhuku. Disa javë më parë kur kryeministri Rama deklaroi se jemi në mes të një krize përsa i takon çështjes së energjisë, ju dolët me propozim si Kofindustria për krijimin e një enti rregullator të karburantit. Ndërkohë që ne e kemi një Ministri të Energjitikës. Çfarë do të sjellë ky ent, si do ta përmirësojë situatën e menaxhimit të energjisë në Shqipëri?

Gjergj Buxhuku: Ju dolët pikërisht tek ajo temë e nxehtë që duhet thënë. Ne nuk kemi sot një Ministri Energjitike. Për çudinë më të madhe, sektori më strategjik i ekonomisë shqiptare është katandisur prej katër vitesh thjesht në një shtojcë të Ministrisë së Infrastrukturës, ministrisë së aeroporteve, kaq sa për sqarim. Pra nuk kemi Ministri Energjitike të mirëfilltë. Kjo është njëra anë e problemit.

Thelbi i problemit është: Sot tregu shqiptar i karburanteve po jo vetëm sot, ka 30 vite, që tregu shqiptar i karburanteve është treg pa konkurrencë, është treg i mbyllur, është treg kartel, është treg oligopol, është treg monopol, që ndikon tek vendimet e qeverive dhe e gjithë barra i shkarkohet biznesit dhe qytetarëve. Pikërisht propozimi për Entin Rregullator të Karburanteve vjen për të marrë masa rregullatore për tregun më të madh të vendit. Është tregu më i madh i vendit me një xhiro prej 1,5 miliardë dollarësh në vit që kalon 10% të PBB dhe është një treg krejtësisht që nuk ka konkurencë.

Ju e shikoni, rritja e çmimit në bursat ndërkombëtare pasqyrohet menjëherë në Shqipëri, ndërkohë, ulja e çmimit në bursat ndërkombëtare të karburanteve pasqyrohet me një vonesë të jashtëzakonshme ose pasqyrohet shumë lehtë, shumë dobët.

Këto janë arsyet pse Konfindustria ka kërkuar me ngulm ngritjen e Entit Rregullator të Karburanteve që do të kontrollojë çmimin, cilësinë, licensimin, sjelljen monopol të operatorëve që punojnë në tregun e  karburanteve.”/ ar.sh/SYRI.NET

Intervista e plotë e z. Buxhuku në videon e “Kafe Shqeto”  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco