Kombëtarja e Egjiptit është pritur si hero në Kajro pas paraqitjes historike në Kupën e Botës 2026. Dhjetëra mijëra tifozë mbushën Stadiumin Ndërkombëtar të Kajros për të festuar suksesin e ekipit, që për herë të parë në histori arriti deri në fazën e 1/16-ave të një Botërori.
Atmosfera ishte festive, me muzikë, fishekzjarrë dhe ovacione për lojtarët dhe stafin teknik, të cilët mbërritën në stadium me një autobus të hapur. Delegacioni u drejtua nga trajneri Hossam Hassan dhe drejtori sportiv Ibrahim Hassan.
Në ceremoni munguan kapiteni Mohamed Salah, sulmuesi i Manchester City-t Omar Marmoush, si dhe Hamza Abdelkarim, i cili ishte bashkuar me Barcelonën për fazën përgatitore para sezonit të ri.
Egjipti u eliminua nga Argjentina në një ndeshje dramatike të fazës së 1/16-ave, e cila u shoqërua edhe me polemika, por kjo nuk zbehu entuziazmin e tifozëve për arritjen historike të kombëtares.
Festimet nuk u kufizuan vetëm te ceremonia zyrtare. Edhe biznesi privat u përfshi në shpërblimin e futbollistëve dhe stafit. Kompani të ndërtimit dhe sipërmarrës të ndryshëm njoftuan dhurata luksoze, duke përfshirë vila në bregdetin verior të Egjiptit, automjete të reja dhe bonuse financiare.
Një nga dhuratat më të bujshme erdhi nga biznesmeni i njohur emiratas Khalaf Ahmed Al Habtoor, i cili bëri të ditur se do t'i dhurojë një makinë luksoze çdo anëtari të delegacionit të kombëtares egjiptiane, përfshirë lojtarët, stafin teknik, administrativ dhe ekipin mjekësor.
Paraqitja në Botërorin 2026 ka rritur ndjeshëm entuziazmin rreth futbollit egjiptian, ndërsa kombëtarja e drejtuar nga Hossam Hassan është pritur si një ekip që ka shkruar historinë e sportit në vend.
© SYRI.net