Çmimet e biletave për gjysmëfinalen e parë të Botërorit 2026 mes Francës dhe Spanjës kanë pësuar një ulje të ndjeshme, por gjithsesi mbeten jashtëzakonisht të larta për tifozët që duan të ndjekin ndeshjen nga stadiumi.
Sipas raportimeve të ‘Dallas Morning News’, çmimi i biletave për përballjen që do të luhet të martën, në orën 21:00 me kohën italiane, në stadiumin “AT&T” në Arlington, është ulur me rreth 60 për qind pas eliminimit të Shteteve të Bashkuara nga Botërori.
Para eliminimit të amerikanëve në fazën e 1/8-ave ndaj Belgjikës, entuziazmi i tifozëve vendas kishte bërë që çmimet në tregun sekondar të rriteshin në nivele rekord. Bileta më e lirë kishte arritur deri në rreth 4 mijë dollarë, pasi shumë tifozë amerikanë shpresonin të shihnin SHBA-në në një gjysmëfinale të madhe në Teksas përballë Francës.
Pas largimit të skuadrës së drejtuar nga Mauricio Pochettino, kërkesa ka rënë dhe bashkë me të edhe çmimet. Megjithatë, ato vazhdojnë të jenë shumë të larta.
Aktualisht, bileta më e lirë në tregun sekondar kushton rreth 1.600 dollarë, ndërsa vendet më të afërta me fushën kalojnë edhe shifrën e 10 mijë dollarëve.
Në sektorët e tjerë të stadiumit “AT&T”, çmimet variojnë nga rreth 3 mijë deri në 7 mijë dollarë, duke e bërë këtë gjysmëfinale një nga ndeshjet më të shtrenjta për t’u ndjekur nga afër në historinë e Kupës së Botës.
Përballja Francë–Spanjë do të përcaktojë finalisten e parë të Botërorit 2026, në një duel mes dy prej fuqive më të mëdha të futbollit evropian.
© SYRI.net