Stadiumi AT&T në Dallas është gati për një nga përballjet më të rëndësishme të Botërorit. Impianti madhështor do të presë gjysmëfinalen mes Spanjës dhe Francës, ndërsa organizatorët kanë punuar deri në detaje për të garantuar kushtet optimale për një ndeshje spektakolare.
“Besoj se fusha do të favorizojë një lojë të shpejtë në gjysmëfinale. Gjithashtu do të përdorim ujitje që topi të rrëshqasë më mirë. Pa dyshim, do të jetë një ndeshje ku topi do të lëvizë me shpejtësi të madhe”, ka deklaruar Ian Craig, eksperti përgjegjës për kontrollin e kushteve të terrenit ku Spanja do të luajë gjysmëfinalen e dytë të historisë së saj në Botëror.
AT&T Stadium, i cili gjatë Botërorit mban emrin ‘Dallas Stadium’ për arsye sponsorizimi, është një nga impiantet më mbresëlënëse të turneut. Me 80 mijë vende për tifozë, stadiumi aktualisht qëndron i qetë para duelit të madh, ndërsa çatia e tij e tërheqshme është mbajtur e mbyllur për shkak të kushteve ekstreme të motit në Dallas, me temperatura që arrijnë 36 gradë Celsius dhe lagështi pranë 80 për qind.
Ky stadium është gjithashtu shtëpia e skuadrës së futbollit amerikan Dallas Cowboys, e konsideruar nga “Forbes” si ekskluziviteti sportiv më i vlefshëm në botë. Gjatë këtij Botërori, ai ka qenë impianti me më shumë ndeshje të zhvilluara, duke pritur nëntë takime, pesë në fazën e grupeve dhe katër në fazën me eliminim direkt.
Një nga elementët më spektakolarë të stadiumit është ekrani gjigant në qendër të impiantit. Ai ka përmasa 49 metra gjatësi dhe 22 metra lartësi, ndërsa peshon rreth 544 tonë. Në të tashmë janë testuar emrat e Spanjës dhe Francës, formacionet, golat dhe grafikat e ndryshme për gjysmëfinalen.
Një sfidë më vete ka qenë edhe përgatitja e fushës. Për shkak se bari tradicional i Teksasit nuk rritet mirë në ambiente të mbyllura, është përdorur një bar i përshtatshëm për klimë të ftohtë, i përbërë nga “Kentucky bluegrass” dhe “ryegrass”, i kultivuar në Kolorado dhe më pas i transportuar në Dallas.
Për shkak të çatisë së mbyllur dhe sistemit të ajrit të kondicionuar, fusha ndihmohet nga llamba speciale që sigurojnë nxehtësinë e nevojshme për rritjen dhe mirëmbajtjen e barit. Reflektimi i këtyre dritave krijon edhe nuancën karakteristike rozë mbi terren.
Përveç futbollit, spektakli do të shoqërohet edhe nga muzika. DJ Chuy, përgjegjësi i atmosferës muzikore në stadium, ka zbuluar se një nga këngët e tij të preferuara është “Despechá” e këngëtares spanjolle Rosalía, një hit që është bërë pjesë e pandarë e ndeshjeve të Botërorit në këtë impiant.
AT&T Stadium është gati të presë një nga gjysmëfinalet më të mëdha të historisë së Kupës së Botës, në një skenë që kombinon teknologjinë, spektaklin dhe futbollin në nivelin më të lartë. të shndërruar potencialin e madh në një rol të rëndësishëm te Barcelona.
© SYRI.net