Përfaqësuesja e Kepit të Gjelbër është pritur me entuziazëm të jashtëzakonshëm pas kthimit nga Kupa e Botës, ku shkroi historinë me paraqitjet e saj. Kryeqyteti Praia u mbush me mijëra tifozë që dolën në rrugë për të përshëndetur futbollistët, duke krijuar një atmosferë festive që do të mbetet gjatë në kujtesën e vendit.
Kthimi i ekipit kombëtar përkoi edhe me 51-vjetorin e pavarësisë së Kepit të Gjelbër, gjë që e bëri festën edhe më domethënëse. Emocionet ishin të mëdha, ndërsa shumë tifozë i krahasuan futbollistët me figurat historike të kombit.
“Pas heronjve që luftuan për pavarësinë tonë, tani kemi këta heronj: Peshkaqenët Blu”, deklaroi një tifoz 28-vjeçar për mediet franceze, duke iu referuar nofkës së përfaqësueses së Kepit të Gjelbër.
Pamjet e publikuara nga Federata e Futbollit e Kepit të Gjelbër treguan momentin kur stafi i aeroportit u përkul në shenjë respekti përpara avionit që solli ekipin në shtëpi. Më pas, një lumë njerëzish me flamuj dhe shalle kombëtare shoqëroi futbollistët gjatë paradës nëpër rrugët e kryeqytetit.
“Le të fillojë parada”, ishte përshkrimi i një prej videove të publikuara nga federata, ndërsa mediet vendase transmetuan pamje të kolonave të gjata të makinave dhe motoçikletave që ndiqnin autobusin e ekipit.
Edhe pse aventura e tyre në Botëror përfundoi, Vozinha dhe shokët e tij u kthyen në atdhe si heronj të vërtetë. Arritjet e tyre në turneun më të madh të futbollit kanë ngjallur krenari të madhe kombëtare dhe do të mbeten një nga kapitujt më të lavdishëm në historinë sportive të Kepit të Gjelbër.
© SYRI.net