Përpara 1/8-ave të Botërorit ndaj Meksikës në “Azteca”, Anglia ka marrë masa të jashtëzakonshme sigurie në Mexico City, duke u përpjekur të mbajë të fshehtë vendndodhjen dhe të shmangë çdo shqetësim para ndeshjes së madhe.
Fillimisht, “Tre Luanët” vonuan udhëtimin drejt kryeqytetit meksikan për t’u përshtatur më mirë me lartësinë, ndërsa më pas ndryshuan hotelin në një përpjekje për të ruajtur fshehtësinë. Megjithatë, pavarësisht kontrollit të rreptë dhe koordinimit me FIFA-n dhe autoritetet lokale, disa tifozë të Meksikës arritën të lokalizojnë hotelin e ekipit anglez.
Në ambientet e brendshme dhe përreth hotelit janë vendosur masa të forta sigurie, me kontroll të rreptë në hyrje, detektorë metalesh, verifikim dokumentesh dhe ndalim të plotë të filmimeve apo fotografive në hapësirat e përbashkëta. Gjithashtu, çdo kat i hotelit raportohet të jetë nën mbikëqyrje të vazhdueshme, ndërsa policia dhe Garda Kombëtare e Meksikës kanë krijuar një perimetër sigurie prej rreth 500 metrash.
Mexican fans trying to disrupt the England team during the night ahead of tonight’s big game… 😭🫣 pic.twitter.com/TVH7KKEOmB
— Football Away Days (@FBAwayDays) July 5, 2026
Megjithatë, në mesnatë situata doli jashtë kontrollit. Tifozët meksikanë u mblodhën pranë hotelit dhe nisën një “serenatë” me daulle, bori dhe kore, duke prishur qetësinë e skuadrës angleze. Zhurmat zgjatën për orë të tëra, ndërsa disa automjete që kalonin pranë u bashkuan me boritë e tyre.
Kulmi i situatës erdhi kur disa tifozë hodhën edhe fishekzjarrë nga një urë pranë hotelit, duke krijuar tension dhe duke e detyruar ndërhyrjen e forcave shtesë të sigurisë rreth orës 2 të mëngjesit. Përpjekja për ta mbajtur Anglinë në qetësi dështoi, ndërsa atmosfera për ndeshjen ndaj Meksikës është ndezur edhe më shumë jashtë fushës së lojës.

© SYRI.net