Federata Braziliane e Futbollit (CBF) ka paraqitur një ankesë zyrtare në FIFA pas anulimit të golit të Vinicius Junior në fitoren 3-0 ndaj Skocisë në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve të Botërorit 2026.
Ylli i Brazilit mendoi se kishte realizuar golin e dytë të skuadrës së tij, por pas ndërhyrjes së VAR-it, arbitri meksikan Cesar Ramos u thirr për ta rishikuar aksionin dhe vendosi ta anulonte golin, duke gjykuar se Vinicius kishte kryer faull ndaj mbrojtësit skocez Jack Hendry gjatë fitimit të topit.
Vendimi ka shkaktuar reagime të forta në kampin brazilian, i cili pretendon se VAR-i nuk është përdorur me të njëjtat standarde gjatë këtij Botërori.
Sipas raportimeve të TyC Sports, CBF ka përmendur si shembull edhe golin e Lionel Mesit në ndeshjen e Argjentinës ndaj Austrisë.
Sipas brazilianëve, në ndërtimin e atij aksioni Alexis Mac Allister pati një duel të ngjashëm me Xaver Schlager, por arbitri nuk sinjalizoi faull dhe goli i Argjentinës u pranua.
Në deklaratën e saj zyrtare, CBF thekson se anulimi i golit të Viniciusit nuk përputhet me filozofinë e gjykimit që është ndjekur deri tani në turne.
Federata shton se vendimi ishte i papritur jo vetëm për futbollistët brazilianë, por edhe për ata skocezë, të cilët nuk prisnin as ndërhyrjen e VAR-it dhe as anulimin e golit.
Pavarësisht polemikave, Brazili e fitoi ndeshjen 3-0 dhe siguroi vendin në fazën me eliminim direkt, ku të hënën do të përballet me Japoninë në raundin e 1/32-ave.
© SYRI.net