Lajmi i fundit

LIVE - Kuvendi në seancë plenare

Stuhi polemikash për Maradonën e rikrijuar me inteligjencë artificiale në një reklamë bastesh

Stuhi polemikash për Maradonën e rikrijuar me inteligjencë artificiale në një reklamë bastesh

09:16, 18/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një reklamë e një platforme bastesh online, e cila përdor imazhin dhe zërin e rikrijuar me inteligjencë artificiale të legjendës së futbollit, Diego Armando Maradona, ka shkaktuar debat të madh në Argjentinë gjatë zhvillimit të Botërorit 2026.

Spoti publicitar, i transmetuar vazhdimisht gjatë pushimeve të ndeshjeve, shfaq Maradonën me pamjen që kishte në FIFA World Cup 1986 në Meksikë, teksa promovon një shërbim të lidhur me bastet sportive. Reklama ka tërhequr menjëherë vëmendjen e opinionit publik dhe ka ndezur polemika të shumta në rrjetet sociale.

Shumë përdorues kanë kritikuar gjuhën e përdorur në mesazhin reklamues, duke argumentuar se nuk pasqyron mënyrën se si do të shprehej Maradona. Të tjerë e kanë konsideruar të papërshtatshme lidhjen e figurës së ikonës së futbollit argjentinas me industrinë e lojërave të fatit.

Ngjarja ka rikthyer në qendër të diskutimeve edhe çështjen e kufijve etikë të përdorimit të inteligjencës artificiale për të riprodhuar zërin dhe pamjen e personave të ndjerë. Debati është bërë edhe më i fortë për shkak të famës dhe ndikimit që Maradona vazhdon të ketë në futbollin botëror, edhe pas vdekjes së tij në vitin 2020.

Avokati Fernando Burlando ka konfirmuar se iniciativa është autorizuar nga trashëgimtarët e Maradonës, megjithëse raportohet se jo të gjithë fëmijët e ish-kapitenit të Argjentinës kanë qenë dakord me këtë vendim. Sipas medieve lokale, kompania e basteve ka paguar rreth 100 mijë dollarë për të siguruar të drejtat e përdorimit të imazhit të ish-yllit argjentinas.

Ndërsa reklama vazhdon të transmetohet gjatë Botërorit, polemikat nuk po shuhen. Përkundrazi, rasti po konsiderohet si një shembull i qartë i sfidave të reja që sjell inteligjenca artificiale në përdorimin e figurave publike pas vdekjes së tyre.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco