Venezuela nën sanksione, Maduro: Hani lepuj

Venezuela nën sanksione, Maduro: Hani lepuj

17:19, 14/09/2017

Venezuela është në krizë ushqimi dhe presidenti Nicolas Maduro i këshillon shtetasit e saj të hanë lepuj, në mesin e asaj që e cilëson një “luftë ekonomike” të ndërmarrë kundër qeverisë së tij nga forcat imperialiste.

“Rritini e ushqehuni me to, si burim proteinash”, ishte deklarata drejtuar një kombi të përballur me një nivel rekord të kequshqyerjes së fëmijëve dhe mungesa kronike të ushqimeve në treg.

“Për të siguruar një burim sa më të mirë proteinash shtazore është miratuar plani i lepujve, të cilët në fund të fundit edhe shumohen me shpejtësi”, tha Maduro.

Plani, megjithatë, ka hasur në një problem kulturor, siç e përshkruan ministri i Bujqësisë, Freddy Bernal. Njerëzit i konsiderojnë lepujt kafshë shtëpiake, i vënë emra dhe flenë me ta.

“Por tani duhet të nisni e t’i shikoni me një sy tjetër, - u shpreh Bernal. - Me syrin e të qenit në mesin e një lufte ekonomike”.

Anëtarët e tjerë të kabinetit i kapën të qeshurat pas këtyre pohimeve, megjithatë ministri nënvizoi nevojën e fushatave publicitare në radio, televizion e gazeta, si dhe atë të ndërhyrjes në filmat vizatimore për të ndryshuar konceptin ekzistues, në mënyrë që njerëzit ta kuptojnë se nuk kanë përpara tyre një kafshë shtëpiake, por dy kile e gjysmë mish.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment