Një stuhi e fuqishme, e shoqëruar me reshje intensive shiu, breshër dhe erëra të forta, ka goditur rreth dy të tretat e territorit të Kilit, duke lënë pas të paktën tre viktima.
Sipas të dhënave të qeverisë kiliane, 76 persona janë prekur nga pasojat e motit ekstrem, ndërsa ministri i Brendshëm, Claudio Alvarado, konfirmoi vdekjen e tre personave gjatë situatës së emergjencës.
Fenomeni i pazakontë atmosferik nisi të prekë vendin të mërkurën, 15 korrik, dhe pritet të vijojë të paktën deri të dielën. Përveç viktimave, pesë persona të tjerë kanë mbetur të lënduar, kryesisht në zonat jugore të vendit.
Dëme të mëdha pranë brigjeve
Erërat e forta dhe dallgët e larta shkaktuan dëme të konsiderueshme në banesat pranë bregdetit në rajonin Biobío, rreth 500 kilometra në jug të kryeqytetit Santiago.
Sipas raportimeve nga terreni, disa shtëpi pësuan dëmtime të rënda, ndërsa mobiliet u shpërndanë në rrugë si pasojë e fuqisë së dallgëve dhe përmbytjeve.
Gjysmë milioni persona pa energji elektrike
Qeveria njoftoi se rreth 500 mijë persona mbetën pa energji elektrike, kryesisht për shkak të rrëzimit të pemëve mbi linjat elektrike.
Ministria e Energjisë bëri të ditur se në rang kombëtar, 590 mijë e 824 familje kanë mbetur pa furnizim me energji, që përbën rreth 7,3% të konsumatorëve.
Për shkak të dallgëve të larta dhe erërave që arritën deri në 100 kilometra në orë, shumë porte në të gjithë vendin reduktuan ndjeshëm aktivitetin e tyre. Ekipet e emergjencës u shpërndanë në disa zona për të vlerësuar dëmet më të rënda.
Ndërkohë, autoritetet urdhëruan mbylljen e shkollave në nëntë rajone të vendit.
Meteorologu Arnaldo Zúñiga nga Drejtoria Meteorologjike e Kilit deklaroi se vendi nuk kishte përjetuar një stuhi kaq të fuqishme dhe me kohëzgjatje të tillë prej rreth 20 vitesh.
© SYRI.net