‘Fajin e ka Thatcher’/ Kryeministri i ri zotohet se do ta kthejë Britaninë në vitet 1970

‘Fajin e ka Thatcher’/ Kryeministri i ri zotohet se do ta kthejë Britaninë në vitet 1970

12:11, 17/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga James Tapsfield, DAILY MAIL

Kryeministri i ri britanik, Andy Burnham, do ta fajësojë Margaret Thatcher për problemet e vendit sot, ndërsa zyrtarisht merr drejtimin e Partisë Laburiste.

Deputeti ir Makerfield do t’i rikthehet periudhës para "rrugëve të gabuara" të viteve 1980, ndërsa përfundon "kurorëzimi" i tij në krye të partisë.

Ai do të lërë të kuptohet se mbështet shtetëzimet dhe më shumë kontroll publik gjatë një aktiviteti në Londër, si edhe më vonë në një fjalim në juglindje të Anglisë.

Megjithatë, Burnham – i cili zyrtarisht do të zëvendësojë Keir Starmer si kryeministër të hënën – pritet sërish të mos pranojë pyetje nga mediat.

Në vend të kësaj, ai ka publikuar video të lehta në rrjetet sociale, ku flet për mënyrën se si i pëlqen çaji, nëse mban çorape me sandale dhe për faktin se nuk i pëlqen pudingu i Yorkshire në darkën e Krishtlindjeve.

Burnham po bëhet lider i Partisë Laburiste pas një procesi thuajse formal, ku u nominua nga gati 95 për qind e deputetëve laburistë, vetëm pak javë pasi u rikthye në Dhomën e Komunëve përmes një zgjedhjeje të pjesshme.

Njëri nga pak deputetët që nuk e mbështeti, Graham Stringer, tha se nuk dëshironte të firmoste një "çek të bardhë", duke paralajmëruar se ish-kryebashkiaku i Mançesterit duhet të jetë më i qartë për synimet e tij.

Në fjalimin e tij këtë mesditë, Burnham do të premtojë se do të jetë: "Pa asnjë ndjesë laburist në prioritetet tona dhe në vendimet që marrim".

Në fjalim ai do të thotë se qeveria e tij do të ketë: "Guximin për të rregulluar çështjet e mëdha që politika i ka lënë pas dore", si dhe "bindjen për të mbrojtur planet tona".

Burnham do të këmbëngulë se Britania mori: "Një seri kthesash të gabuara në vitet 1980", kur "pushteti politik u centralizua dhe pushteti ekonomik u privatizua".

Sipas tij, që ekonomia të funksionojë për njerëzit në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, nevojitet: "Një rrugë e re, ndryshe nga ajo që kemi ndjekur gjatë 40 viteve të fundit".

Ai do t’i bëjë një homazh të kufizuar Sir Keir Starmer – i cili nuk do të marrë pjesë në aktivitet – për rikthimin e Laburistëve në pushtet, duke vlerësuar arritjet në fushën e të drejtave të punëtorëve, NHS-së dhe miratimin e ligjit ‘Hillsborough’.

Burnham u mbështet nga 369 prej 403 deputetëve të Partisë Laburiste, shumë më tepër se minimumi prej 81 nominimesh që kërkoheshin. Ai siguroi gjithashtu mbështetjen e tetë nga 11 sindikatave të lidhura me partinë.

Ai merr drejtimin e partisë në një moment kur Laburistët kanë mbetur pas Reform UK në sondazhe për gati 18 muaj, dhe shpresojnë se ardhja e tij do të sjellë një rritje të mbështetjes dhe do ta përmbysë situatën.

Sir Keir ka deklaruar se do t'i kishte fituar zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme nëse nuk do të ishte larguar nga posti, por është "krenar që ia dorëzon partinë pasardhësit të tij në gjendje të mirë".

Megjithatë, ende nuk ka qartësi për politikat e Burnham apo për mënyrën se si ato do të ndryshojnë nga axhenda e Sir Keir Starmer.

Bizneset dhe sindikatat janë shqetësuar nga ideja që Ed Miliband, i njohur si "Red Ed", do të emërohet ministër i Financave – një mundësi që duket se tashmë është zbehur.

Tani, Sekretarja e Brendshme Shabana Mahmood po përmendet si favoritja për këtë post kyç.

Burnham ka folur për planin e tij për t'u dhënë më shumë kompetenca drejtuesve lokalë jashtë Westminster-it, si pjesë e programit të tij të decentralizimit, si dhe për krijimin e një zyre të "No. 10 North", një degë e Downing Street me bazë në Mançester.

Ai ka deklaruar se do t'u përmbahet rregullave fiskale të Rachel Reeves, si edhe zotimeve të manifestit për të mos rritur tatimin mbi të ardhurat, TVSH-në apo kontributet e sigurimeve kombëtare, por në një intervistë këtë javë nuk përjashtoi mundësinë e vendosjes së një takse mbi pasurinë.

Liberal Demokratët i kanë bërë thirrje që, në javët e para si kryeministër, të reformojë industrinë e ujit dhe ta vendosë menjëherë ‘Thames Water’ nën një regjim të posaçëm administrimi.

Burnham ka emëruar Matthew McGregor, i cili ka punuar në fushata zgjedhore në Britani dhe jashtë saj, dhe aktualisht është drejtor ekzekutiv i organizatës ‘38 Degrees’, si drejtor për strategjinë politike në ‘Downing Street nr. 10’.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco