Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka kërkuar kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu të tërheqë trupat izraelite nga Siria dhe Libani. Lajmi është publikuar nga media amerikane Axios, e cila citon burime amerikane dhe izraelite.
Sipas raportimit, kërkesa vjen në një moment kur Netanyahu ndodhet vetëm tre muaj larg zgjedhjeve, të cilat konsiderohen vendimtare për të ardhmen e tij politike.
Në këto rrethana, Axios vlerëson se është pak e mundshme që ai të pranojë një tërheqje të konsiderueshme të forcave izraelite nga zonat që Izraeli kontrollon në Sirinë jugore ose të miratojë ndryshime të tjera në praninë ushtarake në Liban.
Megjithatë, ndërhyrja e Trump ka shtuar presionin ndaj qeverisë izraelite. Forcat e Armatosura të Izraelit vijojnë të kontrollojnë zona në Libanin jugor dhe Sirinë jugore, prani që autoritetet izraelite e konsiderojnë të domosdoshme për të parandaluar sulme të reja ndaj vendit.
Sipas burimeve të cituara nga Axios, zyrtarë të lartë të qeverisë izraelite mbështesin ruajtjen e kontrollit mbi këto territore për një periudhë të pacaktuar, ndërsa disa prej tyre favorizojnë edhe krijimin e vendbanimeve hebraike në këto zona.
Një zyrtar amerikan bëri të ditur se Trump i ka përcjellë Netanyahut se prania e ushtrisë izraelite në territorin sirian po rrit tensionet dhe mund të çojë në një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës. Sipas të njëjtit burim, presidenti amerikan i ka kërkuar që forcat izraelite të largohen edhe nga Libani.
Në reagimin e saj, Zyra e Kryeministrit izraelit bëri të ditur se Netanyahu e konsideron të domosdoshme ruajtjen e zonave të sigurisë përgjatë kufijve të Izraelit.
© SYRI.net