Aktori i njohur nga Zelanda e Re, Sam Neill, i cili u bë i famshëm në mbarë botën për rolet e tij në filmat “Jurassic Park” dhe “The Piano”, ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare.
Lajmi u konfirmua nga familja e tij përmes një deklarate të publikuar në rrjetet sociale, ku thuhet se vdekja e aktorit në Sydney ishte e papritur për të afërmit e tij. Në deklaratë nuk është bërë i ditur shkaku i vdekjes, ndërsa familja theksoi se Neill ishte pa shenja të kancerit në momentin e ndarjes nga jeta.
Në vitin 2023, Sam Neill kishte bërë publike betejën e tij me angioimunoblastik T-cell lymphoma, një formë e rrallë e limfomës jo-Hodgkin. Megjithatë, sipas familjes, ai kishte arritur ta mposhtte sëmundjen dhe konsiderohej i shëruar nga kanceri.
Gjatë një karriere që zgjati më shumë se pesë dekada, Sam Neill interpretoi në dhjetëra filma dhe seriale televizive, duke u shndërruar në një nga aktorët më të respektuar të kinemasë ndërkombëtare. Ai u bë ikonë me rolin e Dr. Alan Grant në serinë “Jurassic Park”, ndërsa u vlerësua edhe për interpretimet në “The Piano”, “The Hunt for Red October”, “Omen III: The Final Conflict” dhe serialin “Peaky Blinders”. Stili i tij elegant dhe aftësia për të kaluar me lehtësi nga filmat artistikë te produksionet hollivudiane e bënë një nga emrat më të dashur për publikun.
Përveç aktrimit, Neill ishte i përkushtuar edhe ndaj jetës në vendlindje, ku zotëronte dhe administronte vreshta në rajonin piktoresk të Central Otagos në Ishullin Jugor të Zelandës së Re.
Ndarja e tij nga jeta ka sjellë reagime të shumta nga figura politike dhe artistike. Kryeministri i Zelandës së Re, Christopher Luxon, e cilësoi Sam Neill si një nga personalitetet më të mëdha të vendit, duke theksuar se ai ndihmoi në promovimin e historive dhe industrisë kinematografike të Zelandës së Re në skenën botërore. Edhe kryeministri australian Anthony Albanese i bëri homazhe aktorit, duke vlerësuar dinjitetin, humorin dhe forcën me të cilën ai përballoi sëmundjen, cilësi që, sipas tij, u reflektuan edhe në çdo rol që interpretoi.
Sam Neill lë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme në botën e filmit dhe televizionit, ndërsa do të kujtohet si një nga aktorët më të talentuar dhe më të dashur të brezit të tij.
© SYRI.net