Tragjedi në Kili/ Makina merr përpara një treg të hapur, 6 të vdekur dhe 7 të plagosur

Tragjedi në Kili/ Makina merr përpara një treg të hapur, 6 të vdekur dhe 7 të plagosur

08:26, 13/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një pjesëtar i Marinës Kiliane, i cili ndodhej jashtë shërbimit dhe po drejtonte automjetin e tij privat, është përplasur me shpejtësi në një treg të hapur në qytetin bregdetar Viña del Mar, duke shkaktuar një tragjedi.

Ngjarja ndodhi të dielën, më 12 korrik. Marina e Kilit konfirmoi aksidentin përmes një njoftimi zyrtar, pa dhënë një bilanc të saktë të viktimave. Megjithatë, sipas mediave lokale, të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën, ndërsa shtatë të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë një automjet të bardhë që futet me shpejtësi të madhe në zonën e tregut, duke goditur njerëzit dhe tezgat. Video të tjera tregojnë momentin kur shoferi shoqërohet me nxitim drejt një automjeti policie, ndërsa qytetarë të revoltuar e ndjekin duke bërtitur.

Shefi i Policisë së Viña del Mar, koloneli Jorge Guaita, deklaroi se drejtuesi i mjetit pretendon se nuk mban mend asgjë nga ngjarja. Ai shtoi se hetimet janë ende në vijim për të përcaktuar shkaqet e aksidentit.

Sipas dëshmive të mbledhura nga autoritetet, automjeti po lëvizte në korsinë e duhur, por me shpejtësi shumë të lartë. Pasi hipi në trotuar, makina kreu një rrotullim të fortë dhe u ndal vetëm pasi u përplas me një stacion autobusi, çka sipas policisë shmangu një tragjedi edhe më të madhe.

Për ngjarjen reagoi edhe presidenti i Kilit, José Antonio Kast, i cili në një mesazh në rrjetin social X shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe mbështetjen për të plagosurit.

“Tragjedia në Viña del Mar ka zhytur të gjithë vendin në zi. Institucionet shtetërore po punojnë për të ndihmuar të prekurit dhe për të zbardhur me transparencë të plotë përgjegjësitë për këtë ngjarje të dhimbshme”, shkroi presidenti.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco