Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një valë të re sulmesh ajrore kundër Iranit, që zgjati disa orë gjatë natës, duke goditur dhjetëra objektiva ushtarake. Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) bëri të ditur se operacioni u urdhërua nga presidenti Donald Trump me synimin për të dobësuar aftësinë e Iranit për të sulmuar anijet tregtare dhe civile që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit.
Sipas CENTCOM, sulmet nisën të dielën në mbrëmje sipas orës amerikane dhe përfshinë, për herë të parë, përdorimin operacional të dronëve sulmues ajrorë dhe detarë njëkahësh. Mes objektivave të goditura ishte edhe zona e Omidiyeh në jugperëndim të Iranit, ku pamjet e verifikuara tregojnë një hangar avionësh të përfshirë nga flakët. Mediat shtetërore iraniane raportuan se një roje sigurie humbi jetën dhe katër persona të tjerë u plagosën pasi një predhë goditi një stacion pompimi uji në Mahshahr.
Pas përfundimit të operacionit amerikan, Irani reagoi duke lëshuar dronë dhe raketa drejt bazave ushtarake amerikane në rajon, sipas Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC). Si pasojë e alarmit, në Bahrein u aktivizuan sirenat e emergjencës, ndërsa autoritetet në Kuvajt njoftuan se po përballeshin me kërcënime ajrore. Ushtria jordaneze deklaroi se ka interceptuar katër raketa që kishin hyrë në hapësirën ajrore të vendit.
Përshkallëzimi i konfliktit ndikoi menjëherë edhe në tregjet ndërkombëtare të energjisë. Çmimi i naftës Brent u rrit me 3.92%, duke arritur në 78.99 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane WTI u ngjit me 3.44%, në 73.87 dollarë për fuçi.
Në deklaratën e saj, CENTCOM theksoi se gjatë operacionit u përdorën për herë të parë dronët ajrorë LUCAS, të zhvilluar sipas modelit të dronëve iranianë Shahed-136, si dhe dronë detarë sulmues. Sipas analistëve ushtarakë, këto mjete janë projektuar për të kryer sulme të sakta dhe janë të vështira për t’u neutralizuar, duke shënuar një fazë të re në përballjen ushtarake mes Uashingtonit dhe Teheranit.
© SYRI.net