Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas përmes një postimi në “X” ka reaguar lidhur me sulmet e reja nga Irani dhe SHBA-të në rajonin e Lindjes së Mesme. Kallas në reagimin e saj theksoi se sulmet po i ndërlikojnë bisedimet për t’i dhënë fund luftës.
“Shkëmbimi i zjarrit midis SHBA-së dhe Iranit po i ndërlikon më tej bisedimet tashmë të tensionuara për t’i dhënë fund luftës. Sulmet e Iranit ndaj Bahreinit dhe Kuvajtit janë të papranueshme”, shkroi Kalas në një postim në platformën X.
Të hënën e ardhshme, ministrat e jashtëm të BE-së do të takohen me homologët e tyre të Gjirit për të diskutuar se si mund të punojmë së bashku për të mbështetur zbatimin e marrëveshjes dhe për të ruajtur lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit dhe Detin e Kuq.
Ushtria amerikane ka nisur një valë të re sulmesh kundër Iranit dhe ka revokuar një licencë që i lejonte Iranit të shesë naftë, pasi tre tankerë u sulmuan me raketa në Ngushticën e Hormuzit.
Ndërkohë, Agjencia e Bashkimit Evropian për Sigurinë e Aviacionit (EASA) tha se linjat ajrore nuk duhet të operojnë në hapësirën ajrore të Iranit dhe Irakut, për shkak të tensioneve të vazhdueshme dhe veprimeve të mundshme të mëtejshme ushtarake.
© SYRI.net