Leximi i Iliadës së Homerit të jep të njëjtën ndjesi si të jesh në TikTok

Leximi i Iliadës së Homerit të jep të njëjtën ndjesi si të jesh në TikTok

09:19, 07/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Harsh Trivedi

Fillimisht e mora në dorë Iliadën sepse kopertina e kuqe prej pëlhure, e zbukuruar me flakë të arta, ishte thjesht mahnitëse. E pat edhe shprehja "mos e gjyko librin nga kopertina". Botimi i Penguin Classics qëndroi për muaj të tërë në raftin tim përpara se ta hapja më në fund. Për vite me radhë, teksti më ishte dukur i paarritshëm, i rrethuar nga një lloj elitizmi akademik që të krijonte përshtypjen se ishte më shumë për specialistët sesa për lexuesit e zakonshëm.

Por ajo që zbulova, duke lexuar versionin e vitit 2003 të Peter Jones, një rishikim i përkthimit të E.V. Rieu, ishte krejt ndryshe. Iliada nuk më ngjau si një monument i largët letrar, por si një përvojë çuditërisht e afërt me mënyrën se si konsumojmë sot përmbajtje në internet.

Ky nuk është një argument për mënyrën se si u shkrua apo u interpretua fillimisht Iliada. Bëhet fjalë për mënyrën se si ndihet kur e lexon sot, si një lexues modern i formuar nga ritmi i videove në TikTok, YouTube Shorts dhe Instagram Reels. E lexuar në këtë mënyrë, poema ngjan me një shfletim të pafund, një varg i pandërprerë skenash me intensitet të lartë, ku secila është e gjallë, e pavarur dhe zëvendësohet shpejt nga tjetra.

Pjesa më e madhe e Iliadës nuk zhvillohet si një rrëfim i vazhdueshëm dhe i qetë. Përkundrazi, ajo ecën përpara përmes një serie episodesh të vogla. Rreth 5500 nga afro 15 mijë vargjet e saj i kushtohen skenave të betejës, që përfshijnë rreth 300 përplasje mes luftëtarëve. Në një skenë tipike, një luftëtar, grek ose trojan, hyn në betejë, godet kundërshtarin, ose e vret ose vritet vetë dhe menjëherë pas tij shfaqet një tjetër.

Ky model përsëritet vazhdimisht gjatë gjithë poemës. Ajo që ka rëndësi nuk është zhvillimi i thellë psikologjik i personazheve, madje as rezultati i betejës, por ndikimi i menjëhershëm i çdo momenti. Me formulime që përsëriten vazhdimisht, heshtat ose godasin ose dështojnë: "heshta e tij nuk u lëshua kot nga dora" ose "u lëshua kot nga dora".

Ajo që e mban gjallë këtë ritëm janë krahasimet poetike. Në Iliadë ka më shumë se 300 të tilla dhe ato arrijnë të shndërrojnë edhe veprimet më të zakonshme në çaste me intensitet të jashtëzakonshëm. Merrni, për shembull, momentin kur Akili vishet për betejë dhe merr mburojën:

Pastaj ai mori mburojën e madhe e të rëndë, shkëlqimi i së cilës ndriçonte larg si hëna. Ashtu si drita që detarët shohin në det nga një zjarr që digjet në një fermë të vetmuar mbi kodër, kur erërat i largojnë pa dëshirë nga shtëpia nëpër detet plot dallgë, po aq i ndritshëm ishte shkëlqimi që ngrihej drejt qiellit nga mburoja e stolisur e Akilit.

Vetë veprimi i Akilit është i thjeshtë. Por krahasimi e zgjeron, e ngadalëson dhe e shndërron në diçka zhytëse. Ai nuk na nxit të kalojmë menjëherë te skena tjetër, por na tregon se si duhet ta përjetojmë me intensitet atë që po ndodh.

Për një lexues modern, këto krahasime funksionojnë pothuajse si shtresa e muzikës dhe montazhit në videot e shkurtra. Mendoni për videot vertikale që shfaqen njëra pas tjetrës teksa lëvizni në rrjetet sociale.

Për shembull, një video e montuar nga seriali Peaky Blinders. Personazhi kryesor, Thomas Shelby, vendos kapelen dhe ndez një cigare. Lëvizja ngadalësohet. Imazhi ngrin në një pamje me kontrast të lartë. Për një çast kalon në bardhezi dhe më pas rikthehet në lëvizje. Montazhi zgjatet pak më shumë nga sa pret shikuesi. Gjatë gjithë kohës në sfond dëgjohet kënga Do I Wanna Know? e grupit Arctic Monkeys. Vetë gjesti është i thjeshtë, por kombinimi i muzikës dhe efekteve vizuale e bën të duket shumë më i rëndësishëm.

Krahasimet e Homerit bëjnë diçka të ngjashme. Veprimi zgjat vetëm një çast, por krahasimi e zgjeron, e ngadalëson dhe i jep peshë. Ai nuk na tregon se çfarë ndodh më pas, por si të qëndrojmë te ajo që sapo ndodhi. Dhe më pas poema rikthehet menjëherë te vrulli i betejës.

Kështu, çdo skenë bëhet një njësi emocionale më vete, një segment i pavarur i ndërtuar rreth një ndjenje dominuese. Zemërimi, poshtërimi, triumfi dhe pikëllimi ndjekin njëri-tjetrin me ritëm të shpejtë. Kur Akili rikthehet në betejë, dhuna përshkallëzohet ndjeshëm. Kur Hektori vdes, atmosfera mbushet me dhimbje. Megjithatë, edhe këto momente madhore janë pjesë e një ritmi më të gjerë ku gjithçka zëvendësohet vazhdimisht.

Poema e mban lexuesin të përfshirë jo përmes një historie lineare që zhvillohet gradualisht, por përmes një vargu emocionesh me intensitet të lartë.

Pse përkthimi ka rëndësi

Edhe përkthimi e përforcon këtë efekt. Versioni i Peter Jones, i bazuar në përkthimin e E.V. Rieu, dallohet për gjuhën e drejtpërdrejtë. Si perënditë ashtu edhe njerëzit flasin me shprehje të qarta, ndonjëherë çuditërisht moderne.

Zeusi, i pakënaqur që Hera mbështet grekët në vend të trojanëve, i thotë:

"Askush nuk është më bushtër se ti."

Ndërsa Helena, e mbushur me faj për luftën që shpërtheu për shkak të saj, thotë:

"Çfarë bushtre e ftohtë dhe zemërligë jam!"

Këto replika kanë një forcë që tingëllon krejt bashkëkohore. Ato funksionojnë pothuajse si momentet tronditëse në videot e shkurtra, të krijuara për të tërhequr menjëherë vëmendjen përpara se rrëfimi të vazhdojë.

Këto fyerje nuk zbuten nga mirësjellja apo distanca. Ato duken të menjëhershme dhe ndonjëherë të pakëndshme. Duke qenë se shfaqen në skena që ecin përpara me ritëm të shpejtë, ato krijojnë kulme emocionale që forcojnë ciklin e vazhdueshëm të goditjes emocionale dhe kalimit në skenën tjetër.

Krahasimi mes Iliadës dhe videove moderne me format të shkurtër tregon se modelet që i lidhim me mediat e sotme, si fragmentimi, ritmi i shpejtë dhe kërkesa e vazhdueshme për vëmendje, nuk janë krejtësisht të reja. Ato pasqyrojnë diçka më themelore në mënyrën se si njerëzit e përjetojnë rrëfimin dhe emocionet.

Edhe pse Iliada mbetet një nga veprat themelore të letërsisë perëndimore, që ka ndikuar në mitologji, kulturë dhe arsim për shekuj me radhë, ajo nuk duhet parë vetëm si një relike muzeale që admirohet nga larg për shkak të statusit të saj. Ajo mund dhe duhet të lexohet edhe si një libër i së tashmes, që ecën në të njëjtin ritëm me mënyrën se si sot përqendrojmë vëmendjen.

Përtej kanunit letrar

Si pjesë e serisë Rethinking the Classics, autorët u kërkojnë ekspertëve të rekomandojnë një libër ose vepër arti që trajton tema të ngjashme me një vepër klasike, por që ende nuk konsiderohet pjesë e kanunit. Ja rekomandimi i Harsh Trivedi:

"Do të rekomandoja Quand Vient la Horde të Aurélie Luong. I vendosur në një Kore mesjetare të imagjinuar që është kthyer në koloni ruse, romani ndjek Ivanin, një fshatar idealist që rrëmbehet nga Hordhia e Bardhë, një grup mercenarësh të udhëhequr nga enigmatikja Putain Blanche.

Ashtu si Iliada, është një roman që të mban të ngjitur pas faqeve, plot kthesa, përmbysje dhe transformime befasuese. Personazhet e Homerit ndryshojnë shpesh nga ndërhyrjet e perëndive, të cilat i udhëheqin, i mashtrojnë ose u japin forcë. Edhe personazhet e Luongut transformohen nga dhuna, hakmarrja dhe forcat shoqërore që janë më të mëdha se vetë ata. Të dyja veprat zhvillohen në versione të imagjinuara të së kaluarës, ku lufta zbulon sa të paqëndrueshme janë identiteti dhe besnikëria.

Një fantazi e errët në formën e saj më të mirë, Quand Vient la Horde meriton shumë më tepër lexues përtej botës frankofone. Nëse ndonjë përkthyes nga frëngjishtja në anglisht po e lexon këtë, le ta marrë si një nxitje jo edhe aq të fshehtë. Dhe nëse po e lexon vetë Aurélie Luong, unë do të isha i lumtur të ofrohesha vullnetar…" / The Conversation – Syri.net

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco