Lajmi i fundit

LIVE/ Kreu i PD, Sali Berisha konferencë për shtyp

Bastisje në selitë e Bari-t, Napoli-t dhe Filmauro: hetohen Luigi dhe Aurelio De Laurentiis

Bastisje në selitë e Bari-t, Napoli-t dhe Filmauro: hetohen Luigi dhe Aurelio De Laurentiis

11:33, 07/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Alba Kepi/

Prokuroria e Barit ka urdhëruar kontrolle. Guardia di Finanza bastis selitë e SSC Bari dhe SSC Napoli. Falimentimi i klubit të futbolli SSC Bari, falimentimi i Bari Calcio, nën hetim Luigi dhe Aurelio De Laurentiis.

Guardia di Finanza, me urdhër të Prokurorisë së Barit, ka zhvilluar sot kontrolle në selitë e SSC Bari, SSC Napoli dhe Filmauro srl, në kuadër të një hetimi penal që ndodhet ende në fazën paraprake.

Nën hetim janë Luigi De Laurentiis, administrator i vetëm i SSC Bari, dhe babai i tij, Aurelio De Laurentiis, president i Napoli-t dhe përfaqësues ligjor i Filmauro. Ata dyshohen për veprat penale të deklarimeve të rreme në bilanc lidhur me pasqyrat financiare të Bari-t për vitin 2024, si edhe për falimentim mashtrues, në lidhje me kërkesën për hapjen e procedurës së likuidimit gjyqësor të klubit për shkak të paaftësisë paguese.

Sipas autoriteteve italiane, hetimi lindi pas analizës së bilanceve, shënimeve shpjeguese dhe raporteve të administrimit të klubit nga Bari, të mbështetura edhe nga ekspertiza teknike. Nga verifikimet paraprake rezulton se klubi ka regjistruar humbje sistematike prej rreth 30 milionë eurosh në periudhën 2019–2025, duke u përballur me një deficit të madh financiar dhe borxhe të konsiderueshme, pa një plan konkret për rikuperimin ekonomik.

Një nga pikat kryesore të hetimit lidhet me transferimin e një futbollisti mes dy klubeve të kontrolluara nga familja De Laurentiis. Sipas hipotezës së akuzës, Bari bleu kartonin e lojtarit duke pranuar që klubi shitës të përfitonte nga një rishitje e ardhshme, por më pas e shiti lojtarin te Napoli pa përfshirë një klauzolë që do t'i garantonte pjesëmarrje në fitimin e ardhshëm nga transferimi. Më pas, Napoli e shiti futbollistin me fitim të konsiderueshëm pas rritjes së vlerës së tij sportive, një përfitim që, sipas hetuesve, edhe Bari mund ta kishte realizuar.

Kontrollet janë shtrirë edhe ndaj tre drejtorëve sportivë dhe një agjenti futbolli, të cilët aktualisht nuk janë nën hetim, por kanë marrë pjesë në operacionin e transferimit të lojtarit.

Prokuroria thekson se procedimi ndodhet ende në fazën e hetimeve paraprake dhe se elementët e mbledhur deri tani kanë karakter të përkohshëm. Autoritetet nënvizojnë se personat e hetuar duhet të konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë, në përputhje me Kushtetutën italiane dhe legjislacionin në fuqi. Hetimi synon të mbledhë prova të mëtejshme dhe nuk përbën një konstatim të fajësisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco