Autoritetet meksikane kanë sekuestruar rreth 2.99 ton kokainë gjatë një operacioni të madh antidrogë në Oqeanin Paqësor, duke arrestuar katër persona që ndodheshin në dy anije.
Sipas autoriteteve, operacioni u zhvillua pas një aksioni të koordinuar të mbikëqyrjes detare dhe ajrore në ujërat pranë shtetit të Oaxacas, në jug të Meksikës. Dy anijet u ndaluan nga një patrullë e Marinës meksikane.
Gjatë kontrollit, efektivët zbuluan 86 pako që përmbanin rreth 2,990 kilogramë kokainë. Gjithashtu, u sekuestruan edhe 20 kontejnerë me rreth 1,000 litra karburant, që dyshohet se përdorej për transportin e drogës.
Ky operacion vjen në një periudhë të shtimit të aksioneve kundër karteleve të drogës në Meksikë, mes presionit në rritje nga Shtetet e Bashkuara për të frenuar trafikun e narkotikëve.
Pas rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, administrata amerikane ka intensifikuar kërkesat ndaj qeverisë së presidentes meksikane Claudia Sheinbaum për të forcuar kontrollin ndaj rrjeteve të trafikut të drogës dhe për të kufizuar kalimin e lëndëve narkotike drejt territorit amerikan.
© SYRI.net