Dy shtetas rumunë, për të cilët prokurorët britanikë thanë se vepronin si ndërmjetës të qeverisë iraniane, u dënuan të premten me burgim për plagosjen me thikë të një gazetari që punonte për një media në gjuhën perse në Londër.
Pouria Zaratifoukolaei, i njohur si Pouria Zeraati, gazetar britanik me origjinë iraniane që punon për Iran International, u godit tri herë me thikë në këmbë pranë banesës së tij në jugperëndim të Londrës në mars të vitit 2024.
Nandito Badea, 21 vjeç, dhe George Stana, 25 vjeç, të dy deklaruan pafajësi ndaj akuzës për plagosje me dashje, por u shpallën fajtorë nga Gjykata e Kurorës në Woolwich të Londrës në qershor. Badea u dënua me 8 vite burg, ndërsa Stana me 12 vite burg.
Gjatë gjyqit, prokurorët thanë se tre persona kishin vënë në shënjestër Zeraatin, punëdhënësi i të cilit, televizioni Iran International i financuar nga Arabia Saudite, është kritik ndaj qeverisë iraniane dhe është shpallur organizatë terroriste nga Teherani.
Prokurori Duncan Atkinson u tha juristëve se sulmi ishte urdhëruar nga një palë e tretë që vepronte në emër të shtetit iranian. Irani ka mohuar çdo përfshirje.
Personi i tretë i akuzuar për përfshirje në këtë ngjarje, David Andrei, u arrestua në Rumani, por nuk ishte pjesë e këtij procesi gjyqësor.
Gjyqtarja Bobbie Cheema-Grubb deklaroi gjatë shpalljes së vendimit se ishte e bindur se sulmi ishte kryer në dobi të një fuqie të huaj.
Një zëdhënës i Iran International tha se ishte i kënaqur që çështja kishte marrë fund dhe falënderoi policinë dhe qeverinë britanike për përpjekjet e tyre, shkruan Reuters.
© SYRI.net