Leah Stewart, mësuese dhe nënë 34-vjeçare, ka dhënë shenja shprese pasi u zgjua përkohësisht nga koma e induktuar, disa ditë pasi u sulmua rëndë nga një peshkaqen në plazhin Coogee të Sidneit. Sipas familjarëve, pas disa ndërhyrjeve kirurgjikale, Stewart arriti t’i thoshte “Ju dua” nënës dhe partnerit të saj, të cilët ndodheshin pranë shtratit të spitalit. Ajo gjithashtu pyeti menjëherë për vajzën e saj, duke dashur të sigurohej se ishte mirë.
34-vjeçarja u sulmua më 13 qershor teksa notonte pranë bregut në plazhin Coogee, duke pësuar kafshime të shumta në krahë dhe këmbë, si dhe humbje të madhe gjaku. Ajo u transportua në spital në gjendje kritike dhe iu nënshtrua disa operacioneve, përfshirë amputimin e një krahu.
Vëllai i saj, Joshua Stewart, tha se mjekët reduktuan medikamentet për ta zgjuar për pak kohë nga koma e induktuar dhe e cilësoi momentin si një “mrekulli” për familjen. “Ndodhi shumë më shpejt nga sa priste kushdo dhe për ne ndihet si një mrekulli. Është gjithçka për të cilën kemi shpresuar dhe jemi lutur gjatë javës së kaluar”, u shpreh ai. Megjithatë, Leah Stewart mbetet në njësinë e kujdesit intensiv dhe pritet t’i nënshtrohet ndërhyrjeve të tjera kirurgjikale në javët e ardhshme. Familjarët thonë se rruga drejt rikuperimit do të jetë e gjatë, por zgjimi i saj ka sjellë optimizëm dhe shpresë për shërimin afatgjatë.
Ngjarja është një nga disa sulmet serioze të peshkaqenëve të raportuara së fundmi në Australi. Vetëm muajin e kaluar u regjistruan dy sulme fatale, ku humbën jetën një peshkatar në Queensland dhe 38-vjeçari Steven Mataboni në Australinë Perëndimore, pasi u sulmua nga një peshkaqen rreth katër metra i gjatë.
© SYRI.net