VIDEO/ Harruan ta lidhnin, 21-vjeçarja humb jetën në ‘bungee jumping’ pa litar

VIDEO/ Harruan ta lidhnin, 21-vjeçarja humb jetën në ‘bungee jumping’ pa litar

10:40, 15/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Brazilin, ku një 21-vjeçare, Maria Eduarda Rodrigues de Freitas, ka humbur jetën gjatë një aktiviteti ‘bungee jumping’ pasi u hodh nga një urë pa u lidhur me litarin e sigurisë.

Ngjarja ndodhi në Ponte do Esqueleto, në Limeira, në brendësi të shtetit të São Paulos. Sipas hetimeve, tre punonjës të përfshirë në aktivitet, të moshave 27, 32 dhe 42 vjeç, janë arrestuar dhe akuzohen për vrasje nga pakujdesia.

Pamjet e regjistruara nga një kamerë që duhej të dokumentonte kërcimin kanë fiksuar momentin tragjik, kur vajza është hedhur nga ura pa asnjë lidhje sigurie. Menjëherë pas ngjarjes, dëshmitarët dëgjohen duke bërtitur “Litarin!”, por ishte tepër vonë.

Sipas policisë braziliane, të dyshuarit kanë deklaruar se kanë përjetuar një “blackout mendor” në momentin e incidentit dhe nuk mbajnë mend se si ka ndodhur gabimi fatal. Hetuesit theksojnë se në një aktivitet të tillë duhej të ishin të paktën dy kontrolle sigurie, por asnjë litar nuk ishte vendosur.

 

 

Autoritetet zbuluan gjithashtu se viktima kishte paguar rreth 180 reai për kërcimin dhe një shumë shtesë për filmimin me kamera 360 gradë. Ajo kishte edhe një kamerë në dorë në momentin e hedhjes, e cila nuk është gjetur ende.

Sipas hetimeve, aktiviteti organizohej nga një grup jozyrtar dhe jo nga një kompani e licencuar, duke ngritur dyshime serioze për sigurinë dhe legalitetin e shërbimit.

Tre të arrestuarit mbrohen duke thënë se kanë përvojë në këtë fushë dhe se incidenti është i pari fatal gjatë viteve të tyre të punës, por autoritetet braziliane po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Tragjedia ka hapur debat të madh në Brazil mbi sigurinë e sporteve ekstreme dhe kontrollin e aktiviteteve të palicencuara që ofrojnë përvoja të tilla të rrezikshme për turistët dhe të rinjtë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco