Pajisjet e ndërtimit në një vend në Spanjë të lidhur me një projekt të planifikuar përkujtimor të epokës së Frankos janë bërë objekt i vandalizmit.
Sipas gazetës El Diario, incidenti ndodhi në Valle de Cuelgamuros, një kompleks monumental i lidhur me ish-diktatorin Francisco Franco, ku po kryhen punime paraprake gjeoteknike përpara shndërrimit të tij në një hapësirë të kujtesës demokratike.
Zyrtarët thanë se makineritë e rënda të përdorura për testimin e tokës u gjetën të dëmtuara dhe të mbuluara me grafite në orët e para të mëngjesit.
Mesazhet e shkruara përfshinin slogane pro-Frankos dhe fyerje të drejtuara ndaj kryeministrit Pedro Sanchez.
Pjesëtarët e Gardës Civile u angazhuan pasi morën njoftimin për aktin e vandalizmit dhe kryen një inspektim në vendngjarje.
Zyrtarwt thanw se hetuesit gjithashtu gjetën një thikë, e cila besohet se është përdorur për të prerë kabllot në vendin e ngjarjes.
Makineritë e dëmtuara janë larguar për një vlerësim teknik me qëllim përcaktimin e shkallës së dëmeve.
Valle de Cuelgamuros, i inauguruar në vitin 1959 nga Franco, ka qenë objekt i planeve të qeverisë spanjolle për të rishqyrtuar rëndësinë e tij historike dhe për ta shndërruar atë në një memorial dhe qendër interpretimi që trajton trashëgiminë e diktaturës.
Projekti i ri-zhvillimit, i përzgjedhur përmes një konkursi publik të projektimit, përfshin ndryshime strukturore në zonat e hyrjes dhe krijimin e një qendre vizitorësh që shpjegon origjinën dhe kontekstin historik të kompleksit.
Duke reaguar ndaj incidentit në platformën sociale amerikane X, ministri i Politikës Territoriale dhe Kujtesës Demokratike, Angel Víctor Torres Perez, tha se akti i vandalizmit nuk do të pengojë planet e qeverisë për të vazhduar transformimin e kompleksit në një hapësirë të kujtesës demokratike.
© SYRI.net