Natë dhune në Belfast, digjen shtëpi e automjete; familjet e emigrantëve në shënjestër

Natë dhune në Belfast, digjen shtëpi e automjete; familjet e emigrantëve në shënjestër

10:31, 10/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Dhuna ka përfshirë Belfastin për të dytën natë radhazi, ku shtëpi, automjete dhe një autobus janë përfshirë nga flakët pas trazirave që shpërthyen në vijim të një sulmi me thikë të ndodhur të hënën në mbrëmje.

Përfaqësues politikë dhe drejtues komunitarë kanë denoncuar sulmet, duke pretenduar se në shënjestër janë vënë familje emigrantësh dhe persona me ngjyrë. Një pastor në veri të Belfastit deklaroi se banesat e njerëzve me origjinë të huaj u sulmuan qëllimisht, ndërsa një deputet i tha BBC-së se bëhej fjalë për një “pogrom me motive racore”.

Sipas raportimeve nga terreni, qindra persona të maskuar, të armatosur me shishe dhe tulla, ngritën barrikada, u vunë flakën kazanëve të mbeturinave dhe brohoritën slogane kundër të huajve.

Kryeministrja e Irlandës së Veriut, Michelle O'Neill, dënoi ashpër ngjarjet, duke deklaruar se “grupe burrash të maskuar po i nxjerrin familjet nga shtëpitë e tyre duke ua djegur banesat”.

Në Qarkun Antrim, një familje afrikane që jetonte prej dy dekadash në zonë u detyrua të largohej pasi banesa e saj u sulmua dhe iu thyen dritaret. Ndërkohë, në Belfast, një familje ukrainase braktisi shtëpinë pasi hyrja kryesore u përfshi nga flakët.

Shërbimi zjarrfikës njoftoi se gjatë natës ndërhyri në 62 incidente, shumica e tyre në zonën e Belfastit.

“Ishte e tmerrshme”

Mes personave të prekur nga trazirat është edhe Yura, 19 vjeçe, pjesë e një familjeje ukrainase që u detyrua të largohej nga banesa në rrugën Lendrick, në lindje të Belfastit.

“Ishte e tmerrshme. Shtëpia e fqinjit tim u dogj dhe flakët prekën edhe derën tonë kryesore. Ajo duhej të shkatërrohej për të parandaluar përhapjen e zjarrit në banesë”, tha ajo për BBC.

Yura tregoi se ndodhej në shtëpi së bashku me qenin e saj kur nisi sulmi dhe u detyrua të largohej nga dera e pasme. Ajo shtoi se banorët u përpoqën të shpëtonin edhe qenin e një fqinji që kishte mbetur i bllokuar brenda një shtëpie të përfshirë nga flakët.

Reagimi i autoriteteve

Ministrja e Drejtësisë e Irlandës së Veriut, Naomi Long, e cilësoi situatën “plotësisht të papranueshme”.

“Është e turpshme që fëmijë të vegjël dhe familje që nuk kishin asnjë lidhje me ngjarjen në Belfastin verior mbetën pa strehë dhe humbën gjithçka për shkak të dhunës së natës së kaluar. Ata janë plotësisht të pafajshëm”, deklaroi Long.

Ajo komentoi edhe debatin mbi statusin e emigracionit të personit të dyshuar për sulmin me thikë, duke sqaruar se bëhet fjalë për një shtetas sudanez, 30 vjeç, i cili kishte kërkuar azil në Mbretërinë e Bashkuar dhe dispononte leje qëndrimi pesëvjeçare.

“Sjellja e tij ishte e gabuar dhe duhet të përballet me drejtësinë, por statusi i tij i emigracionit nuk justifikon dhunën ndaj familjeve të pafajshme”, tha ministrja.

Dhuna shpërtheu pas sulmit me thikë të së hënës në Belfast, ndërsa i dyshuari pritet të dalë para gjykatës gjatë ditës së sotme.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco