Sipas një studimi të kryer së fundmi, mijëra prona dhe qindra kilometra rrugë në Irlandë janë në rrezik nga erozioni bregdetar dhe rritja e nivelit të detit, ndërsa qeverisë i është bërë thirrje të fillojë planifikimin e zhvendosjes së komuniteteve të cenueshme, transmeton Anadolu.
“Pronarët e shtëpive nuk mund të lihen thjesht të përpihen nga deti”, thuhet në studimin e raportuar nga transmetuesi publik irlandez RTE, i cili bën thirrje për mekanizma urgjent ligjor dhe financiar për të mbështetur zhvendosjen e banesave dhe infrastrukturës.
Dokumenti i punës, i porositur nga Këshilli Këshillimor për Ndryshimet Klimatike të Irlandës dhe i përgatitur nga Universiteti Galway, tha se anketimet e kryera në tetë nga 19 qarqet bregdetare të vendit identifikuan pothuajse 2.300 prona dhe 570 kilometra rrugë që aktualisht janë në rrezik.
Sipas studimit, numri i pronave të ekspozuara ndaj këtij rreziku pritet të dyfishohet deri në vitin 2050.
Studimi u bëri thirrje autoriteteve të kalojnë përtej monitorimit të erozionit bregdetar dhe të zbatojnë një plan kombëtar gjithëpërfshirës për erozionin bregdetar, i cili do të përfshijë planet për zhvendosjen e shtëpive, bizneseve, lidhjeve të transportit dhe infrastrukturës tjetër kritike.
Autori kryesor i studimit, Eugene Farrell, tha se zhvendosja e planifikuar nga vijat bregdetare që po gërryhen “nuk është opsionale” dhe kërkon veprim të menjëhershëm.
Raporti i studimit bëri gjithashtu thirrje për krijimin e një kornize kombëtare kompensimi, rregullore më të forta të planifikimit dhe zbulim të detyrueshëm të rreziqeve nga erozioni dhe përmbytjet në transaksionet e pronave.
Sipas vlerësimeve të cituara në raport, dëmet e lidhura me rritjen e nivelit të detit në Irlandë mund të arrijnë në 2 miliardë euro në vit deri në vitin 2050 dhe në 7 miliardë euro në vit deri në vitin 2100.
© SYRI.net